Ndërlidhjet

logo-print

Lëvizja FOL: Kosovës urgjentisht i duhet ligji anti-mafia


Për të pasur rezultatet konkrete në konfiskimin e pasurisë, Kosova ka nevojë urgjente për ligjin anti-mafia, ku konfiskimi do të bëhej pa pas nevojë të pritet për aktakuzë.

Kështu thuhet në një komunikatë të dërguar nga Lëvizja “Fol”, pas një debati që ka mbajtur të premten më temën: "Konfiskimi i pasurisë në Kosovë, puna njëvjeçare e institucioneve".

Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike Shqipdon Fazliu, ka thënë në këtë debat, se nevojitet kohë për të prodhuar rezultate konkrete në konfiskimin e pasurisë, derisa ka bërë publike të dhënat e vitit 2014 për konfiskim të pasurisë.

“Shifra e sekuestrimeve gjatë vitit të kaluar ka shënuar rritje të dukshme në krahasim me vitet tjera. Janë sekuestruar pasuri deri në 31 milion euro ndërsa janë konfiskuar pasuri në vlerë prej rreth 1 milion euro, tha Fazliu.

Kushtrim Palushi, nga Lëvizja Fol ka treguar se është e rëndësishme të diskutohet koordinimi i institucioneve në fushën e konfiskimit të pasurisë dhe se sa është baza ligjore e plotë për prodhim të rezultateve në praktikë.

Ligji Anti-Mafia, është thënë në këtë debat se do ta rriste efikasitetin e institucioneve në konfiskimin e pasurisë në Kosovë.

Megjithatë, ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi ka theksuar se Kosova ka një bazë legale për konfiskimin e pasurisë dhe se ligji aktual për konfiskim e zëvendëson në një formë ligjin anti-mafia.

“Ministria e Drejtësisë do të amandamentoj Ligjin për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale në mënyrë që barra e provës të bie mbi zyrtarët e lartë publik. Kosova ka ligje të mira por ka nevojë të punohet më shumë në zbatimin e tyre dhe këtu ka disa shkarje sepse fokusi është më shumë në dënimin e personit se sa në konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurisë së tij”, ka theksuar ministri Kuçi.

Ndryshe, përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë vazhdimisht kanë deklaruar se sistemi prokurorial e gjyqësor ka dështuar të konfiskojë pasurinë e fituar nga veprat kriminale.

XS
SM
MD
LG