Ndërlidhjet

Në Kosovë, janë paraqitur tre raste të prekura me sëmundjen infektive të malaries. Dy nga personat e prekur me këtë sëmundje punojnë në Republikën Domenikane, ndërsa tjetri në Liberi, nga edhe thuhet se e kanë sjellë malarien.

Hamdi Ramadani, drejtor i klinikës infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka bërë të ditur se personat e infektuar me malarie, janë trajtuar në Klinikën Infektive me terapi të nivelit bashkëkohor.

"Ne këto ditë jemi ballafaquar me sëmundjen e malaries, që është sëmundje infektive e gjakut. Kanë qenë 3 raste me tablo klinike, laboratorike dhe epidemiologjike të kësaj sëmundjeje. Këta persona punojnë jashtë Kosovës dhe kanë qëndruar disa ditë në klinikën tonë, kanë marrë terapinë adekuate dhe kanë dalë nga spitali me kurim të plotë".

Malaria është një infeksion i shkaktuar nga parazitët njëqelizorë, të cilët hyjnë në gjak nëpërmjet ngacmimit nga mushkonja e malaries.

Dëmtimet që sjellë kjo sëmundje janë vdekjeprurëse, ndërsa simptomat shfaqen brenda pak javëve.

Malaria vazhdon të prekë vendet e varfëra, duke shkaktuar çdo vit vdekjen e shumë personave.

Simptomat që shfaq sëmundja e malaries janë: temperaturë e lartë, lodhje, dhembje koke, dhembje muskujsh, çrregullime në tretje, të vjella, etj.

Sidoqoftë, Kosova nuk është e rrezikuar nga përhapja e sëmundjes së malaries, ndonëse është infektive...

"Malaria është sëmundje tropikale dhe nuk ka rrezik bartjeje. Temperaturat e natës duhet të jenë mbi 18 gradë, derisa gjatë ditës 20 deri në 40 gradë, në mënyrë që sëmundja të bartet me pickim nga njeriu i sëmurë tek ai i shëndoshë".

"Nuk paraqet rrezik për njerëzit në Kosovë. Rastet që janë lajmëruar janë raste sporadike që infektohen jashtë vendit", ka shtuar Ramadani.

Në anën tjetër, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Instituti Kombëtar, nëpërmes Departamentit të Epidemiologjisë, bën zbulimin aktiv të sëmundjes dhe bartësve.

"Malaria është sëmundje e importuar dhe nuk e ka burimin e infeksionit në Kosovë, por përsëri ekziston rreziku potencial. Por, ne jemi në vigjilencë të vazhdueshme, kemi marrë masat e duhura dhe nuk është përhapur. Jo vetëm për malarien, por për të gjitha sëmundjet personat që udhëtojnë në vende të ndryshme endemike duhet të informohen për masat mbrojtëse dhe të marrin vaksinat adekuate’’, ka thënë Naser Ramadani.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG