Ndërlidhjet

Policia e Kosovës hedh poshtë pretendimet e Maqedonisë


Policia e Kosovës ka hedhur poshtë njoftimet se një grup personash të armatosur nga Kosova mund të kenë kaluar kufirin me Maqedoninë.

Të enjten Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, kishte njoftuar Policinë e Kosovës se vërehen persona të grumbulluar në brezin kufitar, respektivisht në fshatin Radushë në territorin e Maqedonisë dhe në Krivenik në territorin e Kosovës.

“Me verifikimin e menjëhershëm të informacionit është konstatuar se nuk ka asnjë grumbullim apo individ në lokacionin e lartcekur dhe as në tërë zonën e brezit kufitar me Maqedoninë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

“Njësitet e Policisë Kufitare në detyra të rregullta gjatë brezit kufitar nuk kanë hasur në asnjë grumbullim të pretenduar nga pala maqedonase dhe po ashtu një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga njësitet e Policisë Kufitare të Maqedonisë", bën të ditur Policia e Kosovës.

Për të dytën herë brenda javës, autoritetet maqedonase hodhën dyshime për kalim të kufirit nga persona të armatosur nga Kosovë.

Më 21 prill ato njoftuan për një sulm, ndaj një stacioni policie në fshatin Goshincë në veri të Kumanovës, pranë kufirit me Kosovën. Autoritetet maqedonase thonë se në bazë të informacioneve që kanë, bëhet fjalë për një grup të armatosur mirë nga Kosova, por Policia e Kosovës hodhi poshtë pohimet e tilla.

Lexoni edhe këtë: Incidenti në Gushincë, skenar apo sinjal për destabilizim

XS
SM
MD
LG