Ndërlidhjet

Vritet aktivistja pakistaneze që donte çarmatosjen e Karaçit


Sabeen Mehmood
Sabeen Mehmood

Një aktiviste për të drejtat e njeriut në Pakistan është vrarë nga të shtënat që janë bërë prej një motoçiklete në lëvizje në Karaçi.

Sabeen Mehmood ka qenë rrugës për në shtëpinë e saj të premten, kur persona të armatosur e kanë vrarë me armë zjarri. Mjekët thonë se kanë nxjerrë pesë plumba nga trupi i saj.

Zafar Iqbal, zëvendësshef i policisë, e ka përshkruar kështu ngjarjen:

“Ajo kthehej nga programi i saj. Dy persona të armatosur kanë shtënë në të derisa ishin në lëvizje me motoçikletë. Sabeen Mehmood është vrarë, ndërsa nëna e saj është plagosur. Hetimet tashmë kanë nisur”.

Deri më tash asnjë grup nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin.

Kryeministri pakistanez, Navaz Sharif, e ka dënuar vrasjen dhe ka urdhëruar hetimet.

Mehmood, e cila ka qenë drejtoreshë e fondacionit bamirës “Kati i Dytë”, shpesh herë është kërcënuar me vrasje.

Kjo organizatë posedon një kafiteri dhe një dyqan librash ku rregullisht janë mbajtur diskutime rreth të drejtave të njeriut.

Sulmi ka ndodhur pak pasi Mehmood ka organizuar një diskutim rreth abuzimeve me të drejtat e njeriut në krahinën e trazuar të Baloçistanit.

Ky diskutim, fillimisht, ishte paraparë që të organizohej në Universitetin e Lahores, mirëpo autoritetet e patën bllokuar këtë mundësi, raportojnë mediat pakistaneze.

Menjëherë pas publikimit të lajmit për vrasjen e saj, njerëzit kanë shprehur respektin për të në rrjete sociale.

Në një profil për të, të publikuar në vitin 2013, në revistën pakistaneze, Aurora, Mehmood ishte pyetur se çfarë fuqie magjike do të donte për veten. Ajo është përgjigjur: “Do të doja të lëvizja shkopin tim magjik dhe të çarmatosja Karaçin”.

Karaçi është qytet në afërsi të krahinës së Baloçistanit ku grupet për të drejtat e njeriut qe një kohë të gjatë akuzojnë forcat e sigurisë për abuzime serioze, përfshirë edhe dënime me vdekje të paligjshme.

Baloçistani është zona ku ndodh një kryengritje me intensitet të ulët e grupeve separatiste që duan përfitime nga burimet e gazit dhe mineraleve dhe autonomi komplete nga Islamabadi. (a.haraçia)

XS
SM
MD
LG