Ndërlidhjet

Maqedoni: Afera e përgjimeve - Kushtetuesja hesht


Ilustrim

Ilustrim

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, në vend të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve dhe zbatimit të normave ligjore të përcaktuara në nenet e saj, ajo bëhet pjesëmarrëse në rrënimin e sistemit gjyqësor dhe shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Kështu vlerësojnë ekspertët për çështje juridike, duke komentuar heshtjen e drejtuesve të Gjykatës Kushtetuese lidhur me atë që quhet “aferë e përgjimeve”.

“Fatkeqësisht, ai që duhet të jetë rojtar i rendit kushtetues në shtet, është shndërruar në vegël të pushtetit politik dhe në një situatë të tillë, është e qartë se sistemi juridik i shtetit është detronizuar apo nuk është aspak funksional dhe në përputhje me Kushtetutën”.

“Mendoj se nuk duhet të pritet diç më tepër, nëse nuk ka ndryshime rrënjësore në strukturën politike qeverisëse, sepse tashmë është dëshmuar se kjo strukturë ndikimin e vet e ka shtrirë në të gjitha poret e jetës”, thotë Naser Zyberi, ekspert për çështje juridike.

Në konferencën vjetore për punën e gjykatës, kryetarja e saj, Elena Gosheva, tha se gjykatësit punojnë në mënyrë të pavarur duke përjashtuar me këtë rast çdo ndikim nga ana e politikës.

Ajo tha se nuk ka dëgjuar për përgjimet e bisedave telefonike, përfshirë edhe atë të kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili sipas opozitës, i kërkonte ministrit të Transportit, Mile Janakievski, të ndërhyjë në Kushtetuesen për të kontestuar planin detal urbanistik të komunës Qendër të Shkupit që drejtohet nga kuadër i opozitës.

“Gjykata është e pavarur dhe ajo vendos sipas bindjeve personale të çdo anëtari të saj në ditën e marrjes së vendimeve. Për atë nuk vendosi unë apo ndonjë anëtar tjetër, për çdo vendim votohet kështu që nuk mund të komentoj biseda për të cilat nuk kam dëgjuar”, deklaroi Gosheva.

Por, ndryshe nga ajo vlerësojnë edhe qytetarët, të cilët kanë paraqitur ankesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjeve të ndryshme, që mendojnë se janë miratuar në kundërshtim me normat ligjore.

Stemen Filipov njihet në opinion si personi me numrin rekord të ankesave në Gjykatën Kushtetuese. Bazuar në vendimet e miratuara, ai thotë se Gjykata punon sipas rekomandimeve të pushtetit.

“Përveç një ose dy vendimeve që mendoj se vlejnë, të gjitha vendimet tjera janë të karakterit teknik. Vlerësoj se në dy vitet e fundit Gjykata Kushtetuese nuk ka debatuar apo miratuar vendime për iniciativa shumë të rëndësishme, kjo nënkupton se Gjykata është nën ndikimin politik të pushtetit”, thotë ai.

Në raportin e Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë, janë theksuar vërejtje të shumta për përbërjen e Gjykatës, ndikimet politike si dhe për zvarritjen e procedurave për miratimin e vendimeve.

Gjykata Kushtetuese, gjatë punës së saj dy vjeçare, në përbërjen aktuale ka hedhur poshtë shumë iniciativa, përfshirë edhe atë të Shoqatës së Gazetarëve që kishte të bënte ndaj drejtuesve të Kuvendit lidhur me dëbimin me dhunë të gazetarëve gjatë incidentit të Kuvend ndërmjet pozitës dhe opozitës, në dhjetor të vitit 2013.

XS
SM
MD
LG