Ndërlidhjet

Fundamentalizmi fetar, “i keqkuptuar” në Kosovë


Xhami dhe kishë në Ferizaj...
Xhami dhe kishë në Ferizaj...

Përdorimi i nocioneve të caktuara në diskursin, nëpërmjet të cilit referohet për individë apo grupe të përkatësive të caktuara religjioze, jo rrallë ngjallin huti tek ata individë apo grupe dhe kjo më pas degjeneron drejt keqkuptimit të vetë atyre nocioneve, vlerësojnë përfaqësuesit e bashkësive fetare më të mëdha në Kosovë, si dhe ekspertë që studiojnë sjelljet religjioze në shoqëri.

Një rast i tillë, sipas tyre, ka të bëjë edhe me nocionet fondament fetar dhe fundamentalizëm fetar.

Në rubrikën e përjavshme “Fokus”, të Radios Evropa e Lirë, ata thonë se në diskursin publik, nocionet e tilla ngatërrohen ashtu sikurse edhe kuptimi i tyre.

Profesor Ismajl Hasani, ekspert në fushën e sociologjisë së religjionit, vlerëson se fondamentet e të gjitha besimeve monoteiste janë parime bazë, të cilat u ofrojnë besimtarëve vlerat e etikës njerëzore.

“Të gjitha religjionet botërore abrahamike kanë për synim paqen, mirësinë, mirëqenien, sjelljen e kulturuar, sjelljen e devotshme, përcaktimin për besimin e caktuar, vlerësimin dhe respektimin e vlerave fondamentale të moralit njerëzor, respektimin e vlerave fondamentale fetare, që në një mënyrë, të gjitha ato janë vlera fondamentale të etikës njerëzore”, thotë për Radion Evropa e Lirë profesor Hasani.

Në anën tjetër, drejtuesit e bashkësive fetare më të mëdha në Kosovë, vlerësojnë se nocionet fondament dhe fundamentalizmit, me kalimin e kohës, kanë devijuar në ndërlidhjen e tyre.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:07:47 0:00

Nocioni fundamentalizëm apo fundamentalist, sipas tyre, tashmë përdoret në konotacionin negativ, dhe u referohet individëve apo grupeve fetare që përmes sjelljeve ekstreme dhe radikale imponojnë bazat e fesë së tyre.

Përfaqësuesi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora, krye-imam i Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin e tij, lidhur me këto nocione.

“Fjala fondament do të thotë bazë apo kthim në bazë. Po ashtu, edhe fundamentalizmi, kuptimin parësor e ka njerëzit të kthehen në bazat reale dhe të mirëfillta të fesë, pavarësisht se cila fe është ajo, islame, e krishtere apo hebre”.

“Mirëpo, me kalimin e kohës, ata njerëz që i janë përkushtuar fesë në mënyrë shumë strikte, janë parë nga të tjerët si pengesë apo si njerëz që mund të jenë të dhunshëm, e që në fakt nuk janë, sepse ta respektosh fenë tënde në mënyrë strikte, nuk do të thotë që të thotë të jesh i dhunshëm ndaj të tjerëve”, konsideron krye-imami Bajgora.

Mendim të përafërt ka edhe përfaqësuesi i Kishës katolike në Kosovë, Don Shan Zefi, kancelar ipeshkvor i Kosovës. Sipas tij, besimtarët katolikë u përmbahen bazave të këtij besimi, duke besuar në një Zot, shkrimit të shenjtë Besëlidhja e re, si dhe doktrinës se si duhet të sillen të krishterët katolikë.

Por, sipas tij, fondamenti i besimit, tashmë si nocion, jo rrallë shikohet me keqkuptim.

“Lidhur me çështjen e fondamentit, padyshim që sot, në atë aspektin terminologjik të fjalës, merret edhe në kuptimin tjetër, shpeshherë, për njerëzit që janë të ngarkuar në kuptimin e ekstremizmit. Kështu që në Kishën katolike, kemi për fondament normat e moralit, kemi për fondament Kodin kishtar dhe kështu me radhë. Sidomos, ne të krishterët, e kemi edhe traditën e kishës dymijë vjeçare dhe brenda suazave të kishës katolike ne edhe sillemi”, thotë Don Shan Zefi.

Përfaqësuesi i Kishës ortodokse serbe në Kosovë, igumeni Sava Janjiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjithë ne jetojmë në kohën kur terminologjia po ndryshon. Disa nocione, sipas tij, e kanë ndryshuar kuptimin fillestar dhe njerëzit nuk i duan si të tilla.

“Në një mënyrë të caktuar, ato krijojnë konfuzion, sepse njerëz të caktuar konsiderojnë se kthimi në bazën e besimit të tyre nuk është gjë e keqe. Por, problem është atëherë kur e interpretojmë gabimisht. Fundamentalizëm është edhe tradicionaliteti. Te ne tradicionalizmi nuk është nocion negativ. Unë jam tradicionalist, por nuk jam konservativ”, shprehet igumeni Sava Janjiq.

Në anën tjetër, profesor Hasani shpjegon mënyrën se si fundamentalizmi ka marrë konotacionin negativ si shprehje. Sipas tij, në të gjitha rastet kur nocioneve bazë u shtohen prapashtesa “izëm”, ato shndërrohen në pezhorativ dhe marrin konotacionin negativ.

Profesor Hasani thotë se, edhe në rastin konkret, kur individi apo grupe të caktuara thirren në fondamentin e një religjioni, ndërkohë që e keqpërdorin atë dhe dalin jashtë atij fondamenti, për t’i arritur qëllimet e caktuara karshi individëve apo grupeve të religjioneve tjera, atëherë atyre iu referohet nocioni fundamentalist.

“Nëse nuk i përmbahet fondamentit, është fundamentalist dhe ‘izma’ e çon te degjenerimi i fondamentit. Do të thotë, çdo ‘izëm’ përdoret në mënyrë pezhorative, përkatësisht në mënyrë të skajshme për ta mohuar tjetrin”, thekson profesor Hasani.

Por, sipas krye-imamit të Kosovës, Bajgora, njerëzit që nuk respektojnë bazën fetare nuk janë as fetarë të mirë. Të tillët, siç thotë ai, keqkuptojnë dhe keqpërdorin normat fetare dhe më pas, nga e gjithë kjo burojnë ekstremizmat dhe radikalizmat fetarë.

“Unë mendoj se fjala fundamentalizëm duhet të hiqet, përfundimisht, nga terminologjia që paraqet njerëzit ekstremist fetar. Është mirë që t’u sqarohet njerëzve që ky term nuk nënkupton që gjithsesi të jesh edhe ekstremist. Njerëzit që janë të prirë për të qenë ekstrem, ata edhe janë të dhunshëm ndaj të tjerëve”, thotë Bajgora.

Edhe Don Shan Zefi vlerëson se t’i drejtohesh dikujt me cilësimin fundamentalist, është mjaft konfuze.

“Sigurisht që nuk është e lehtë të thuhet e vërteta, nëse do t’i drejtoheshim një njeriu dhe t’i themi se është fundamentalist. Nëse merret në aspektin e ngushtë, se ai i përmbahet me përpikëri normave kishtare dhe respekton tjetrin, atëherë nuk duhet që çështja të shtrohet në kuptimin negativ të fjalës”, vlerëson Don Shan Zefi.

Edhe igumeni Sava Janjiq, pajtohet me dy kolegët e tij.

“Unë, më parë do ta përdorja fjalën fanatizëm fetar apo ekstremizëm fetar. Është shumë e rëndësishme që liderët fetarë të sqarojnë se kthimi në bazën e besimit, nuk do të thotë edhe keqpërdorim i atij besimi”, pohon igumeni Janjiq.

Ndryshe, profesor Hasani, vlerëson se në secilin religjion ekziston fundamentalizmi, por krejtësisht varet se si shikohet ai.

Në qoftë se i themi një predikuesi normal, ta zëmë, një hoxhe, një prifti ose një prelati dhe i drejtohemi me termin ‘fundamentalist’, kjo do të thotë se atij i bëjmë nder. Do të thotë se ai i qaset religjionit në mënyrë fundamentaliste mbi parimet e analizës së thellë dhe të gjithanshme të dogmës fetare".

"Ndërkohë, njerëzit që janë adhurues të fesë dhe kanë dije të limituara të fesë, por që përpiqen që fetarizmin e vet ta shpërfaqin me dukjen e jashtme, me mënyrën e veshjes, me mënyrën e ndryshimit të ritualeve të ndryshme fetare, atëherë situata ndryshon krejtësisht”, shpjegon profesor Hasani.

Ai shton se ka autorë të ndryshëm që u janë qasur dallimeve të nocioneve, fondament, fondamental dhe fundamentalizëm. Sipas tij, ka pasur mendime se ka sinonimi ndërmjet asaj që predikuesit e ndryshëm, me qëllim të ngulitjes së religjionit dhe dominimit të religjionit të vet, pretendojnë që çdo qasje lidhur me religjionin, ka konotacion fundamentalist.

Por, siç ka thënë ai, ka edhe mendime që nocionin fundamentalizëm përpiqen ta identifikojnë me ekstremet ideologjike dhe politike të Islamit ose të ndonjë religjioni tjetër.

Profesor Hasani vlerëson se të dy rastet janë të gabuara kur përdoren nocionet fondament dhe fundamentalizëm, qoftë atëherë kur sinonimohen ato, qoftë atëherë kur ndahen dhe nocionin fundamentalizëm e përdorin me qëllim të denigrimit të një religjioni të caktuar.

XS
SM
MD
LG