Ndërlidhjet

logo-print

Qytetarët e Kosovës, pavarësisht asaj që të ardhurat e tyre janë 20 për qind më pak se të qytetarëve të vendeve të Bashkimit Evropian, paguajnë çmimet e konsumit të njëjta, e në disa raste edhe më të larta se sa këta të fundit.

Ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë, thonë për Radion Evropa e Lirë, se 40 për qind e produkteve që konsumohen në Kosovë, vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian.

Eksperti i ekonomisë, Nami Gashi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se importi i këtyre produkteve bën që çmimet të jenë më të shtrenjta në Kosovë, sesa në vendet e BE-së.

Konsumatorët kosovarë, shton Gashi, paguajnë transportin dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar të këtyre produkteve, të cilat vijnë nga Bashkimi Evropian në tregun e Kosovës.

“Dyzet për qind e çmimeve të produkteve ushqimore në tregun e Kosovës janë më të shtrenjta se në vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa të ardhurat për kokë banori për qytetarët e Kosovës janë disa herë më të ulëta se në vendet e BE-së”, thotë Gashi.

Sipas Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare për vitin 2013 (të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës), rezulton se konsumi për kokë banori gjatë vitit 2013 ishte 1,402 euro, që i bie jo më shumë se 116 euro në muaj, ndërsa konsumi për ekonomi familjare është 7,625 euro, që në muaj është 635 euro.

Eksperti i ekonomisë, Naim Gashi, thekson se për ta përmirësuar këtë gjendje, Kosova duhet të shënojë rritje ekonomike dyshifrore. Por, sipas tij, kjo rritje nuk mund të arrihet, pasi që zhvillimet politike të vitit të kaluar nuk ishin në favor të ekonomisë.

“Bllokada institucionale për gjashtë muaj që ishte, do ta ketë efektin e vet në zhvillimet makro-ekonomike në vitin 2015. Megjithatë, lehtësirat fiskale që është duke i bërë Qeveria e Kosovës në të bërit biznes, mendoj se mund t’i japin efektet e veta në gjysmën e dytë të vitit 2015, mirëpo nuk do ta kemi atë rritjen ekonomike që dëshirojmë”, shton Gashi.

Sidoqoftë, sipas Gashit, qytetarëve të Kosovës iu kanë ndihmuar për përmirësimin e standardit jetësor, të ardhurat që kanë nga diaspora.

Janë mbi gjysmë milion euro në vit para që hyjnë në Kosovë nga qytetarët e saj që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

Rritja ekonomike në Kosovë, viteve të fundit ka shënuar rënie. Nga 5.39 për qind sa ishte në vitin 2010, sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, rritja ekonomike gjatë këtij viti do jetë tre për qind.

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, konsideron se Kosova i ka të gjitha mundësitë për një zhvillim ekonomik më dinamik, mirëpozbatimi i politikave ekonomike nuk është në drejtim të duhur.

Për aq sa i njoh rrethanat ekonomike, jam mjaft i shqetësuar për gjendjen që jemi dhe perspektivën e zymtë ekonomike që po na pret. Nëse nuk do të bëjmë një ndryshim radikal, duke filluar nga të gjitha politikat që nxisin zhvillimin ekonomik, është situatë tepër e rëndë dhe e paperspektivë”, vlerëson Shatri.

Papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë shoqërinë kosovare viteve të fundit. Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, është mbi 30 për qind.

Pagat, po ashtu, vazhdojnë të mbesin të ulëta. Në sektorin publik, paga mesatare mujore është 441 euro, kurse në sektorin privat, paga mesatare është 228 euro në muaj.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG