Ndërlidhjet

logo-print

Putini, ky “mbrojtës i shtetit”

  • RFE /RL

Presidenti rus, Vladimir Putin.

Presidenti rus, Vladimir Putin.

Televizioni shtetëror i Rusisë ka nisur të shfaqë një film, në të cilin presidenti rus, Vladimir Putin, portretizon veten e tij si mbrojtës të shtetit kundër terroristëve që, siç thotë, kanë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Në filimin Presidenti, Putin thotë se vendet “nuk duhet të bëjnë përpjekje që të përdorin terroristët për të çuar përpara qëllimet e tyre politike apo gjeopolitike”.

Ai thotë se “nëse dikush mbështet terroristët në një vend, ata do të ngrihen në një vend tjetër dhe do t’i godasin ata që i kanë mbështetur dje”.

Putin ka akuzuar vazhdimisht Perëndimin se ka mbyllur sytë ndaj militantëve në Kaukazin Verior të Rusisë në vitet 1990 dhe fillimet e viteve 2000, me shpresën se ata do të dobësojnë Rusinë ose do të çojnë në shpërbërjen e saj.

Në film, Putin thotë se në disa raste, agjencitë e inteligjencës ruse kanë përgjuar kontakte të drejtpërdrejta midis separatistëve dhe zyrtarëve të inteligjencës amerikane në Azerbajxhan.

Ai nuk specifikon se kur kanë ndodhur thirrjet, por thotë se zyrtarët amerikanë kanë ndihmuar separatistët madje edhe me transport.

Putin, po ashtu, thotë se ka folur për këtë çështje me presidentin e atëhershëm të Shteteve të Bashkuara, George W. Bush, i cili, sipas tij, ka premtuar se do t’i ndëshkojë të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë.

“Por, dhjetë ditë më vonë, bashkëpunëtorët e mi kanë marrë një letër nga kolegët e tyre në Uashington, në të cilën thuhej: ne i kemi mbajtur dhe do t’i mbajmë lidhjet me të gjitha forcat opozitare në Rusi”, kujton Putin.

Ai ka portretizuar veten shpesh si një lider të fuqishëm që lufton kundër përpjekjeve të Perëndimit për të dobësuar Rusinë dhe për ta nënshtruar atë sipas vullnetit të SHBA-së.

Në film, Putinthotë se “elitat politike dhe ekonomike” në Perëndim “na duan kur jemi të varfër dhe me duar të shtrira. Kur ne nisim të flasim për interesat tonë, ata ndjejnë elemente të konkurrencës gjeopolitike”, thotë Putin.

Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë perëndimore i cilësojnë si propagandë këto akuza, duke thënë se ato duan që Rusia të jetë e begattë dhe e sigurt.

Filmi thuhet se mbulon “rrugën që ka kaluar shteti (rus) së bashku me presidentin në 15 vjetët e fundit”.

Pas punës në Shërbimin Federal të Sigurisë, Putin është bërë kryeministër në gusht të vitit 1999 dhe është emëruar ushtrues i detyrës së presidentit nga Boris Yeltsin më 31 dhjetor të vitit 1999.

Ai është zgjedhur president në mars dhe është inauguruar më 7 maj, 2000. Prej atëherë, mban pushtetin herë si president, herë si kryeministër.

I njohur pak para ngritjes së tij në krye të shtetit rus, Putini ka fituar popullaritet me luftën që ka rrëzuar qeverinë separatiste në Çeçeni.

Në filmin Presidenti, Putin po ashtu thotë se nuk ka bërë asgjë të keqe në lidhje me Ukrainën.

“Jam thellësisht i bindur se nuk kemi shkelur asnjë nga rregullat e lojës”, thotë Putin.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG