Ndërlidhjet

Kosova shënon Ditën e të Pagjeturve


Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë plenare kushtuar 27 Prillit, Ditës së Personave të Pagjetur të Luftës. Në seancë ishin ftuar edhe përfaqësues të familjarëve e shoqatave të personave të pagjetur, si dhe diplomatë të akredituar në Prishtinë.

Fillimisht, ka folur deputetja Lirie Kajtazi, kryetare e Komisioni për të Drejtat Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, e cila ka thënë se moszbardhja e fatit të mbi 1 mijë e 600 personave, tregon për një krim të pandëshkuar të luftës së fundit.

Me fillimin e dialogut politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ajo tha se shumë familjarë kishin shpresuar se do të bëhej më shumë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Por, edhe sot e kësaj dite, vijoi Kajtazi, autoritetet serbe, megjithatë, nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim.

"Moszbardhja e fatit të pagjeturve bën që Kosova të mbetet dosje e madhe e krimit të pandëshkuar, e fajtori dihet. Ka adresë dhe ky është shteti i Serbisë, i cili jo vetëm që nuk kërkoi falje, e nuk shprehi as pas kaq shumë vitesh pak humanitet, por sot e kësaj dite nuk tregon së paku vendndodhjen e tyre. Me konventat ndërkombëtare krimet vazhdojnë deri në zbardhjen e tyre dhe jo vetëm të pagjeturit, por edhe familjarët e tyre vazhdojnë të viktimizohen tutje nga ankthi i pritjes", ka thënë Kajtazi.

Në foltoren e Kuvendit është ftuar edhe përfaqësuesi i familjarëve të personave të pagjetur Bajram Qerkinaj.

Ai tha se personat që sot konsiderohen të pagjetur, u rrëmbyen dhe u morën të gjallë gjatë luftës së vitit 1999, dhe më pas askush nuk ofroi asnjë informacion për ta.

Që atëherë, Qerkinaj tha se familjarët dhe të afërmit e të pagjeturve jetojnë në ankth e vuajtje, por do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe zbardhjen e fatit të tyre.

"Ne vuajtëm shumë. Unë po flas në emër të familjarëve, edhe të 1.650 personave të pagjetur. Në emër të familjarëve që vazhdojnë të vuajnë, në emër të familjarëve që vazhdojnë të presin lajme për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre. Në emër të atyre familjarëve, për të cilët lufta ende nuk ka përfunduar dhe liria për ta nuk e ka kuptimin e plotë", është shprehur Qerkinaj.

Në emër të familjarëve të personave të pagjetur, Qerkinaj, ndër tjera, ka kërkuar që të zbardhet fati i 1 mijë e 650 personave të pagjetur, të ndëshkohen përgjegjësit për këto krime si dhe që për fatin e të pagjeturve të diskutohet në Bruksel, në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Pas seancës, në kuadër të shënimit të Ditës së të Pagjeturve, është zbuluar edhe një përmendore dedikuar personave të pagjetur që nga lufta e vitit 1999 në Kosovë.

Aty, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministri Isa Mustafa kanë kërkuar që përgjegjësit për zhdukjen e këtyre personave të ndëshkohen dhe u zotuan që për këtë temë të diskutohet edhe në Bruksel, në kuadër të dialogut me Beogradin.

Sipas shifrave zyrtare, janë mbi 1,600 persona nga Kosova, fati i të cilëve mbetet i pazgjidhur.

Së fundmi, Prokuroria për krime lufte e Serbisë, ka bërë hulumtimin e një varreze të mundshme në rrethinën e Novi Pazarit, në fshatin Kozarevë, në afërsi të lumit me të njëjtin emër.

Gërmimet vlerësuese kanë nisur në bazë të disa hetimeve, të cilat i kanë bërë zyrtarët e kësaj prokurorie.

Zyrtarët e Komisionit qeveritar për personat e pagjetur në Kosovë, të cilët kanë qenë të ftuar nga autoritetet serbe që të vëzhgojnë gërmimet, kanë theksuar se punimet janë ndërprerë, për shkak se kanë rezultuar të pasuksesshme dhe vend-gërmimi nuk përputhej me informacionet që kishte pala e Kosovës lidhur me varrezën eventuale masive, ku dyshohet të jenë varrosur civilët shqiptarë, të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Megjihatë, ata thanë se tashmë ky proces i gërmimeve vlerësuese ka nisur në Kozarevë të Novi Pazarit, dhe ai do të duhej të vazhdojë edhe më tutje.

Fati i personave të pagjetur mbetet një nga plagët më të rënda të luftës së fundit.

XS
SM
MD
LG