Ndërlidhjet

Nepal: Numri i viktimave rritet, kryeqyteti i shkatërruar


Video: Nepali nën rrënoja
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:02 0:00

Video: Nepali nën rrënoja

Nga tërmeti i fuqishëm, që të shtunën e ka goditur Nepalin, qeveria e këtij vendi thotë se deri tash është konfirmuar se kanë vdekur 3,726 persona, ndërsa më shumë se 6500 tjerë janë të plagosur.

​Dridhjet pas tërmetit, që kanë ndodhur gjatë ditës së diel, kanë shkaktuar më tepër ortekë në Himalaje.Tërmeti ishte aq i fortë sa që ka shkaktuar dridhje edhe në vendet e rajonit. Raportohet se në Indi nga tërmeti janë vrarë 66 vetë, dhe së paku 20 në Tibet të Kinës. Tërmeti është ndjerë edhe në Bangladesh dhe në Pakistan.

Banorët largohen nga kryeqyteti Katmandu

Mijëra banorë kanë filluar të largohen nga kryeqyteti Katmandu, që për dy ditët e fundit është goditur nga dridhjet e fuqishme, që kanë ndodhur pas tërmetit. Janë shkatërruar pjesë të mëdha të lagjeve më të vjetra të kryeqytetit, ndërsa ka mungesë të ushqimit dhe ujit.

Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme, tha se autoritetet nuk ishin në gjendje të kontaktojnë me njerëzit në disa prej hapësirave më së shumti të shkatërruara nga tërmeti. Ky zyrtar ka shprehur shqetësime se numri i të vrarëve nga tërmeti mund të jetë afro 5 mijë.

Rrugët që çojnë jashtë kryeqytetit Katmandu, ishin përplot me njerëz, disa me fëmijë në duar, duke u përpjekur të hipnin në autobusë, makina osse kamionë, për të arritur në fusha.

Nga ana tjetër, janë krijuar rreshta të gjatë në aeroportin ndërkombëtar të qytetit, ku turistët dhe vendësit me padurim presin të largohen.

“Jam e gatshme ta shes edhe arin që e kam në trup për ta blerë biletën për aeroplan, por nuk ka bileta”, tha Rama Bahadur, një femër nga India, e cila punon në Katmandu.

Pjesa më e madhe e një milion banorëve të kryeqytetit, kanë fjetur nën qiellin e hapur prej tërmetit të së shtunës, për shkak se shtëpitë e tyre janë shkatërruar ose për shkak të frikës për dridhje të reja, raporton agjencia Reuters.

Kërkohet ndihmë nga vendet e tjera

Autoritetet në Nepal po ballafaqohen me mungesë të ushqimit dhe ujit të pijes për personat e prekur nga tërmeti, pastaj ka ndërprerje të rrymës elektrike, rreziku i përhapjes së ndonjë sëmundjeje, e të tjera. Rrjedhimisht, autoritetet kanë kërkuar ndihmë të jashtme.

“Ndihma është sfidë e madhe”, thonë zyrtarët e lartë, duke shtuar se “ne kërkojmë nga vendet e jashtme që të na ndihmojnë me materiale speciale dhe ekipe të mjekëve”.

Njerëzit e sëmurë dhe të plagosur janë të shtrirë në objekte të improvizuara të hapura në Katmandu, pasi shumë spitale janë shkatërruar.

Aktualisht, është krijuar një qendër e operimit brenda një tende në Kolegjin Mjekësor në Katmandu.

Udhëheqësi i lartë i Akademisë Kombëtare për Shkencat Mjekësore, Ganesh Gurung, thotë se shumë njerëz kanë pësuar plagë të rënda.

“Ka shumë pacientë, që kanë lëndime shkatërruese, përfshirë lëndime të kokës, pastaj amputime të gjymtyrëve. Pra, shumë lëndime shkatërruese, përfshirë edhe lëndimet shumë të rënda të gjoksit”, tha Ganesh Gurung.

Njerëzit, në kryeqytet dhe jashtë tij, të lodhur e të rraskapitur, kanë shtruar dyshekë në rrugë dhe kanë ngritur tenda për tu strehuar nga shiu.

Disa vende tashmë kanë dërguar ndihma dhe ekipe të shpëtimit.

India ka dërguar helikopterë, furnizime mjekësore dhe pjesëtarët e forcës së saj për përgjigje ndaj katrastrofave.

Kina e ka dërguar një ekip prej 60 vetëve për situata emergjente.

Ushtria e Pakistanit tha se i dërgon katër aeroplanë me 30 shtretër spitalor, ekipe të kërkim-shpëtimit dhe furnizime të tjera të nevojshme për situatat e këtilla.

Një zëdhënës i Pentagonit tha se Shtetet e Bashkuara e kanë dërguar një aeroplan ushtarak me 70 vetë, ndërsa Australia, Britania dhe Zelanda e Re, kanë thënë se po dërgojnë specialistë për kërkim dhe shpëtim në kryeqytetitn Katmandu, me kërkesë të Qeverisë së Nepalit.

Britania, që konsideron se disa qindra britanikë janë në Nepal, po ashtu, ka dërguar furnizime dhe ndihma mjekësore.

Megjithatë, raportohet se deri tash ka pasur pak shenja të ndihmës ndërkombëtare në terren, meqë disa aeroplanë nuk kanë mundur të aterojnë pas dridhjeve, që disa herë e kishin mbyllur aeroportin ndërkombëtar në Katmandu, ditën e diel.

Gjendje e rëndë në shëndetësi

Kjo katastrofë natyrore e ka theksuar gjendjen e rëndë të kapaciteteve mjekësore të Nepalit.

Ky vend me 28 milionë banorë i ka 2.1 mjekë dhe 50 shtretër spitalorë për çdo 10 mijë banorë, sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të vitit 2011.

Mjekët në një spital një Katmandu kanë thënë se atyre u duhen më tepër se 1,000 shtretër të tjerë për t’i trajtuar pacientët, që po arrijnë në spital.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG