Ndërlidhjet

Trazira në Baltimore, shpallet gjendje e jashtëzakonshme


Trazira në Baltimore
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:46 0:00

Trazira në Baltimore

Në qytetin e Baltimore në SHBA, është shpallur gjendje e jashtëzakonshme pas protestave të dhunshme të mbajtura të hënën në mbrëmje.

Protestuesit e dhunshëm kanë vjedhur dyqanet, ua kanë vënë zjarrin ndërtesave dhe kanë lënduar 15 policë pas funeralit të mbajtur dje të një 25 vjeçari me ngjyrë, i cili ka vdekur nga lëndimet derisa ishte i burgosur nga policia.

Rrjeti televiziv amerikan, CNN ka shfaqur pamje që tregojnë zjarrfikësit duke u përballur me zjarre të mëdha.

Disa prej protestuesve të dhunshëm kanë vjedhur dyqanet e alkoolit, barnatoret dhe një shtëpi mallrash.

Ata kanë thyer dritaret e veturave para një hoteli të madh, ndërsa dy herë e kanë dëmtuar një tub për lokalizimin e zjarreve derisa zjarrfikësit mundoheshin ta shuanin një zjarr në një barnatore që ishte vjedhur paraprakisht.

Trazirat shpërthyen vetëm pak metra larg vendit ku mbahej funerali i Freddie Gray, dhe më pas ato u përhapen në tërë pjesën perëndimore të Baltimores.

Gray është arrestuar më 12 prill derisa arratisej nga policia.

Ai është transportuar në stacionin policor me një furgon, ndërsa një javë më vonë vdes nga një lëndim në boshtin kurrizor.

Sipas avokatit të Grey, boshti kurrizor afër qafës i Freddie Grey ka qenë 80 % i shkatërruar, derisa ka qenë në paraburgim.

Deri më tash gjashtë oficerë policie janë pezulluar, ndërsa Departamenti amerikan i Drejtësisë është duke e hetuar incidentin për shkelje të mundshme të të drejtave civile.

Vdekja e 19 prillit ka rikthyer shqetësimet rreth trajtimit që policia u bën afro-amerikanëve.

Në fakt, për disa ditë janë mbajtur protesta paqësore, mirëpo të hënën në mbrëmje ato u kthyen në protesta të dhunshme dhe vjedhje masive nga grupe të caktuara.

Kryetarja e bashkisë Baltimore, Stephanie Rawlings-Blake i ka quajtur hajdutët e dyqaneve ‘banditë’, që nuk kanë asgjë të bëjnë me protestat e deritahme.

Policia amerikane deri më tash ka arrestuar 27 persona, ndërsa sot shkollat në këtë qytet nuk do të punojnë.

Edhe një ndeshje bejzbolli është anuluar, ndërsa janë mbyllur të gjitha bizneset dhe stacionet e trenit në qytetin me 620 mijë banorë, dhe i cili gjendet rreth 64 kilometra larg kryeqytetit amerikan.

Demonstratat në Baltimore po konsiderohen si më të dhunshmet që prej trazirave në Ferguson të Missourit, vitin e kaluar.

Guvernatori i Merilendit, Larry Hogan e ka vënë në gatishmëri Gardën Kombëtare, ndërkaq trupa shtesë janë dërguar në Baltimore.

Përgatiti: Artan Haraqija
XS
SM
MD
LG