Ndërlidhjet

Steinmeier: Nuk kanë ndryshuar kushtet për Serbinë


Pamje nga takimi i sotëm Daçiq - Steinmeier në Beograd
Pamje nga takimi i sotëm Daçiq - Steinmeier në Beograd

Ministri i jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, ka deklaruar sot në Beograd se Gjermania është e interesuar që Serbia këtë vit, t’i hapë kapitujt e parë dhe se askush nuk i ka ndryshuar kushtet në rrugën e Serbisë kah Bashkimi Evropian.

“Pohimet se Gjermania paraqet kushte të reja për Serbinë, absolutisht nuk janë të vërteta”, tha Steinmeier, pas takimit me ministrin e jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, në Beograd.

Mëtutje, zoti Steinmeier ka thënë se “Gjermania, sikur edhe shtetet e tjera të BE-së, është e interesuar që Serbia këtë vit t’i hapë kapitujt e parë” në negociatat për anëtarësim në BE.

Ministri i jashtëm gjerman ka theksuar se normalizimi i raporteve me Kosovën është pjesë përbërëse e detyrave të përbashkëta të Beogradit dhe Prishtinës, të cilat duhet të plotësohen, në mënyrë që të përparohet në rrugën kah BE-ja, raporton agjencia Beta nga Beogradi.

Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se në takim me ministrin Steinmeier, është biseduar për mënyrën më të mirë që sa më shpejt të hapen kapitujt e parë “ashtu që Serbia të mund të përparoj në procesin negociator”.

Pas Serbisë, Frank-Walter Steinmeier e viziton edhe Kosovën.

XS
SM
MD
LG