Ndërlidhjet

logo-print

Nënshkrimi i MSA-së, mesazh pozitiv për liberalizimin e vizave


Kosova dhe Bashkimi Evropian (BE), pritet të finalizojnë së shpejti Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA).

Më pas, sipas njohësve të proceseve integruese evropiane, do të nevojitet edhe një periudhë kohore deri te zbatimi apo hyrja në fuqi e saj. Ajo që analistët e shohin si të arritur me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, të njohur shkurt si MSA, është se me të do të fillonte vendosja e marrëdhënieve kontraktuale mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Emrush Ujkani, njohës i proceseve integruese, thotë se institucionet e Kosovës duhet të reflektojnë në mënyrën se si e përcakton marrëveshja, për të evituar vonesat e reja në fazën e pas nënshkrimit.

"Vendosja e marrëdhënieve në nivel shumë të lartë, kontraktual, mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, të njëjtën kohë do të kërkon edhe përkushtim më të madh të institucioneve të Kosovës që të zbatojnë marrëveshjen e cila edhe ashtu është një hap shumë i rëndësishëm e që do t'i paraprinte pastaj ecjes në procesin e mëtutjeshëm drejt integrimit në BE", ka thënë Ujkani për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se me nënshkrimin e marrëveshjeve, "Bashkimi Evropian nënkupton se teksti i saj është final dhe se nga ai moment i njëjti tekst u dërgohet institucioneve të Bashkimit Evropian për miratim. Kështu që, vetëm pas ratifikimit dhe hyrjes në fuqi kjo marrëveshje do të mund të zbatohet".

Doli thotë po ashtu se krahas përmbushjes së kritereve tjera, Kosova mund të shfrytëzojë edhe përmbushjen e obligimit të saj për themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës në kontekst të proceseve integruese evropiane, ku hyjnë si MSA ashtu edhe procesi i liberalizimit të vizave.

"Për Bashkimin Evropian është e rëndësishme që Kosova të tregoj se është e gatshme që obligimet ndërkombëtare që i ka marrë vite më parë, t'i realizojë në praktikë. Në këtë kontekst, unë besoj që Gjykata Speciale do të mund të shërbente si një hap pozitiv për të treguar këtë përkushtim të institucioneve të Kosovës drejt BE-së dhe drejt partnerëve ndërkombëtar", ka thënë Doli për Radion Evropa e Lirë.

Nënshkrimi i MSA-së këtë vit, sipas analistit Emrush Ujkani, do të mund të reflektonte pozitivisht edhe në procesin e liberalizimit të vizave sado që këto janë dy procese të ndara, për faktin se tek vendet e BE-së do të pranohej fakti që Kosova ka bërë një hap përpara në proceset integruese.

"Nëse Kosova arrin të nënshkruaj MSA-në sot, natyrisht që kjo do të ishte arritje, fal plotësimit të disa kërkesave që i ka vendosur BE-ja. Prandaj ky do të ishte një argument shtesë që në negociatat e mëtutjeshme për liberalizimin e vizave të merrej si argument pozitiv edhe nga BE-ja në krejt këtë proces", ka theksuar Ujkani.

Në anën tjetër, Dren Doli thotë se MSA dhe liberalizimi i vizave mbeten procese të ndara. Por, edhe ai pajtohet se nënshkrimi i kësaj marrëveshje dërgon mesazhe pozitive në Bruksel. Doli beson që Qeveria e Kosovës duhet të nxitojë me hapat e saj për përmbushjen e kritereve evropiane në mënyrë që të përshpejtohen të dyja proceset.

"Qeveria e Kosovës do të duhej ta shfrytëzon këtë 'momentum' që të njëjtën kohë të përfundojë të gjitha obligimet e saj të brendshme në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave në mënyrë që si në kuptim të vendimmarrjes ashtu edhe atë të dinamikës të ndodhë të paktën në një pako të përbashkët, ndoshta me vet marrëveshjen e MSA-së", ka deklaruar Doli.

Autoritetet në Prishtinë, kanë deklaruar se pavarësisht faktit që Kosova nuk është njohur nga pesë vende anëtare të BE-së, kjo nuk do të jetë pengesë për nënshkrimin e MSA-së, qoftë gjatë muajit maj apo qershor të këtij viti.

Pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, Kosova pret që t'i krijohet mundësia që të ketë qasje në shumë programe të BE-së.

Përderisa për liberalizimin e vizave, Qeveria e Kosovës thotë se është në fazën finale të përmbushjes së kritereve teknike.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG