Ndërlidhjet

Sulm terrorist në Zvornik, me të vrarë e të plagosur


Stacioni policor në Zvornik

Stacioni policor në Zvornik

Një person i armatosur ka sulmuar të hënën stacionin policor në Zvornik, në Bosnjë e Hercegovinë, ku ka vrarë një polic dhe ka plagosur dy të tjerë.

Personi i identifikuar nga zyrtarët e rendit ishte Nerdin Ibriq, 24 vjeç, nga fshati Kuçiq Kulla afër Zvornikut.

Ai kishte hyrë në stacionin policor dhe duke thirrur “Allahu është i madh”, ka hapur zjarr mbi zyrtarët e stacionit policor në Zvornik. Më pas, policët tjerë kishin shtënë mbi Ibriqin, i cili me këtë rast është vrarë.

Ibriqi është përshkruar nga mediet në Bosnjë e Hercegovinë si pjesëtarë i lëvizjes Vehabiste, i cili i ka takuar bashkësisë salafiste në Dubicë afër Kalasisë.

Zyrtarët e Spitalit të Përgjithshëm në Zvornik, kanë bërë të ditur se është vrarë polici Dragan Gjuriq, ndërkaq, janë plagosur kolegët e tij Stevo Milovanoviq dhe Zheljko Gajiq.

“Dy policët e plagosur janë jashtë rrezikut për jetë dhe gjendja e tyre është stabile. Ata janë vendosur në pavijonin e kujdesit intensiv”, tha dr. Miroslav Prodanoviq, kirurgu kujdestar në spitalin e Zvornikut.

Tash për tash, në Zvornik, situata është e qetë, por “banorët janë nën emocionet e rënda nga ajo që ka ndodhur”, thotë kryetari i Zvornikut, Zoran Stevanoviq.

“Mendoj se ende ka shqetësim te qytetarët e Zvornikut. Po ndjehet prani e shtuar e policisë dhe kjo është normale duke pasur parasysh nëpër çka kemi kaluar ne. Ne duhet të shkojmë tutje dhe ne nuk kemi të drejtë ta shihemi shtrembër me askënd në Zvornik”, tha Stevanoviq.

Boris Grubishiq nga Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës, ka theksuar se nuk ka asnjë dilemë që sulmi në Zvornik, ishte terrorist.

“Që nga fillimi është kualifikuar si terrorizëm nga ana e Policisë dhe Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës. Së pari, po bëhen hetimet në mënyrë që të vërtetohen motivet e këtij akti terrorist”, theksoi Grubishiq.

Ndryshe, tashmë në Bosnjë e Hercegovinë është formuar një ekip i përbashkët nga shumë agjenci të policisë dhe të hetuesisë, ndërkohë që është arrestuar një person, për të cilin thuhet se është Abdullah Hasanoviq, i cili edhe më parë ishte arrestuar për shkak të dyshimeve se ishte pjesëtarë i Shtetit Islamik dhe se ka qenë në Siri.

Kristina Joziq, zëdhënëse e agjencisë shtetërore për hetime dhe mbrojtje, thotë se hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë

“Në të njëjtën kohë po merren në pyetje një numër i madh i personave, në cilësinë e dëshmitarëve. Ekipi i përbashkët në mënyrë intensive po i vazhdon aktivitetet lidhur me këtë lëndë”, tha Joziq.

Zyrtarët e organeve të rendit dhe sigurisë në Bosnjë e Hercegovinë, kanë bërë të ditur se në gjithë territorin e këtij vendi janë forcuar masat e sigurisë.

Ndryshe, autoritetet e Republikës Serbe dhe të Bosnjë e Hercegovinës kanë reaguar ashpër duke e dënuar sulmin në Zvornik.

Përmes një komunikate për medie, kryesia e Bosnjë e Hercegovinës e ka dënuar, siç është thënë sulmin terrorist në stacionin policor në Zvornik dhe i ka shprehur ngushëllime familjes së policit të vrarë.

“Kryesia e Bosnjë e Hercegovinës u bën thirrje organeve kompetente të policisë dhe të gjyqësisë, të të gjitha niveleve, që përmes bashkëpunimit dhe koordinimit, në mënyrë urgjente të bëjnë hetimin në detaje, me qëllim të ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave lidhur me veprën e kryer penale, përfshirë edhe motivet e sulmit, si dhe lidhshmërinë eventuale të personave tjerë ose bashkëpunëtorëve në kryerjen e kësaj vepre penale”, është thënë në qëndrimin zyrtarë të Kryesisë së Bosnjë e Hercegovinës.

Gjithashtu, është thënë se sulmet e tilla janë kërcënim për sigurinë, rregullimin kushtetues dhe pozitën ndërkombëtare të Bosnjë e Hercegovinës.

Kjo kryesi u ka bërë thirrje qytetarëve për qetësi dhe të jenë të përmbajtur nga çfarëdo aktiviteti që do të mund të sillnin deri te provokimet ndëretnike dhe ndërfetare, si ngritjen e tensioneve dhe incidenteve.

Shefi i misionit të Organizatës Evropiane për Siguri dhe Bashkëpunim në Bosnjë e Hercegovinë, Jonathan Moor, është shprehur se është ‘ i shokuar për shkak të sulmit”.

“Dëshirojmë t’iu falënderohemi shumë njerëzve në Bosnjë e Hercegovinë, ashtu sikurse edhe kryetarit të Zvornikut, për thirrjet e tyre për qetësim dhe tolerancë. Në këto rrethana, është mjaft e rëndësishme të përmbahemi nga gjuha e urrejtjes dhe nga porositë kërcënuese. Po e përcjellim situatën dhe po presim informata të reja nga autoritetet që po bëjnë hetimet lidhur me këtë sulm të tmerrshëm terrorist”, ka thënë Mor.

Në anën tjetër, ministri për Siguri i Bosnjë e Hercegovinës, Dragan Mektiq, ka thënë se “ekzistojnë ideologji radikale” në vendin e tij.

Sipas tij, agjencitë për informim, “tre ditë më parë kishin ofruar të dhënat për një sulm të mundshëm terrorist, por nuk është ditur se kur dhe ku do të ndodhë”.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG