Ndërlidhjet

Mësimdhënësit në grevë


Prishtinë
Prishtinë

Në institucionet parauniversitare dhe universitare në Kosovë ka nisur greva e organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Kjo është greva e tretë që mësimdhënësit kanë organizuar gjatë këtij viti në kërkim të zbatimit të kontratës kolektive.

Organizimet dhe diskutimet e shpeshta për greva në arsimin fillor kishin vënë në dilemë të mbajtjes apo jo të grevës, disa prindër të cilët kishin sjellë fëmijët në shkollën fillore "Faik Konica" në Prishtinë.

Albulena Toplica, është nënë e Luriadës pesë vjeçare, e cila është në nivelin parashkollor në këtë shkollë. Albulena në orët e hershme të mëngjesit kishte sjellë vajzën, pasi nuk ishte e sigurt në organizimin e grevës.

“Mësuesja të martën ka thënë që nxënësit duhet të vijnë, sepse nxënësit rrinë në klasë, por mësimi nuk zhvillohet. Por, sot kur erdhëm na thanë se fare nuk zhvillohet mësimi dhe nxënësit nuk duhet të vijnë. Po kthehemi në shtëpi", tha Toplica.

Kërkesat e SBASHK-ut kanë të bëjnë me pikat e parealizuara deri më tash nga Kontrata Kolektive, siç janë: shujta- 2 euro për çdo ditë pune, kompensimi prej 0,5 për qind për çdo vit të shërbimit, kompensimi prej 70 për qind për biletat e udhëtimit për mësimdhënësit me rastin e pensionimit dhe tri paga mesatare për mësimdhënësit me rastin e pensionimit

Por, kërkesa e fundit e SBASHK-ut ka për qëllim që të nxisë Qeverinë e Kosovës të përmirësojë gabimet e lëshuara në listat e pagave për muajin prill, ku përfshihet kompensimi prej 0.05 për qind për çdo vit të shërbimit.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se greva nuk do të ndalet derisa Qeveria e Kosovës nuk përmirëson gabimet.

“Qeveria dërgoi lista me shifra të imagjinuara madje ishin lista skandaloze. Prandaj, Këshilli Drejtues nuk pati rrugë tjetër pas një shtyrje bukur të gjatë dhe dhënies hapësirë për dialog, e kemi parë se qeveria deklarohet diçka dhe vepron krejt ndryshe. Prandaj greva ka filluar sot dhe do të vazhdojë deri sa të bindem konkretisht duke i marrë pagat e prillit se është vepruar drejt , është vepruar në bazë të kontratës kolektive”, ka thënë Jasharaj.

Në anën tjetër, ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, të martën u ka bërë thirrje të gjithë drejtorëve, mësimdhënësve dhe nxënësve, që ta vazhdojnë procesin mësimor.

Ai ka konfirmuar se në pagat për muajin prill, që mësimdhënësit do t’i marrin të enjten, është kalkuluar dhe përvoja e punës prej 0.5%.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka ftuar mësimdhënësit që të mbajnë mësim të rregullt.

Në një postim në faqen Facebook, kryeministri Mustafa ka shkruar se është “obligim të kujdesemi për fëmijët dhe të rinjtë tanë, të kenë mësim të rregullt dhe të mos shkaktojmë situata, që ata, në vend se të jenë në klasë dhe në salla të mësimit, të bredhin rrugëve dhe atje ku nuk duhet, nga teket politike dhe kërkesat e pabazuara të disa individëve në sindikatë”.

“Punonjësit e arsimit kanë rol fisnik dhe janë prindërit e dytë të fëmijëve tanë”, ka shkruar Isa Mustafa, dhe ka shtuar se qeveria ka ndërmarrë masat e domosdoshme dhe ka siguruar mjetet për pagesën e përvojës në punë, përkundër shumë vështirësive buxhetore të cilat i kemi, “që janë shumë më të mëdha se sa duken në opinion”.

XS
SM
MD
LG