Ndërlidhjet

Zhvillimi ekonomik, sfidë për Kosovën


Sfida më e madhe me të cilën përballet Kosova është zhvillimi ekonomik afatgjatë, ndërkohë përgjegjësia kryesore për përmirësimin e ambientit afarist iu takon institucioneve të Kosovës është thënë të mërkurën në një konferencë të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me temën “Ekonomia: Me dinamikë të shpejtë”.

Përfaqësuesit e bizneseve kanë theksuar se është koha e fundit që institucionet e Kosovës të ndërmarrin hapa konkret në përmirësimin e ambientit afarist në Kosovë

Drejtori ekzekutiv i Odës ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të përshpejtohen proceset që ndërlidhen me zhvillimin ekonomik.

“Institucioneve gjyqësore iu takon përgjegjësia që të kuptojnë nevojën e dinamikës së reformimit të procesit gjyqësor. Universiteteve iu takon që të krijojnë gjenerata të reja të studentëve të cilët do të jenë të denjë të konkurrojnë në tregun punës dhe në tregun e dijes. Studentëve iu takon që dijen e zëne në fakultete ta përdorin dhe të ndikojnë në rritjen e bazës së ndërmarrësis në vend”, ka theksuar Zeka.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka siguruar përfaqësuesit e biznesit se prioritet themelorpër Qeverinë e Kosovës është zhvillim ekonomik, i cili nënkupton rritjen më të shpejtë ekonomike, përkatësisht rritjen e normës së GDP më të shpejtë në krahasim më atë që kemi pasur deri më tani.

“Ne synojmë një normë më të lartë dhe një normë optimale që do të ishte prej 6 deri në 7 për qind e cila pastaj do të mundësonte një normë të punësimit në rreth 5 për qind që do të përballonte fluksin e njerëzve të papunë që janë sot që hyjnë në tregun e punës që sillen ndërmjet25 deri 30 mijë”, ka theksuar Mustafa.

Ai ka ritheksuar se Qeveria e Kosovës do të përmirësojë politikat fiskale dhe se do të krijojë lehtësira për sektorin privat të biznesit, sidomos për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që të do të themelohen.

Ndërkohë, sa i përket luftës kundër korrupsionit, kryeministri Isa Mustafa ka kërkuar edhe nga përfaqësuesit e biznesit që ta ndihmojnë këtë luftë.

Ai ka kërkuar nga bizneset që të mos iu nënshtrohen korrupsionit, por të tregojnë se kush nga institucionet qeveritare apo institucionet tjera po kërkon që përmes sistemit të korruptimit të zhvillojë ekonominë.

“Ju betohem se ne do të marrim masa që këto mos të ndodhin, ne duhet bashkarisht të bëhemi aleancë në mënyrë që së bashku ta luftojmë prezencën e korrupsionit. Këtë prezencë do ta luftojmë përmes zhvillimit ekonomik. Masat që do të ndërmarrim për të bërit biznes, për tërheqjen e investimeve, për hapjen e vendeve të reja të punës do të ndikojnë në atë që edhe ata që janë të prirë për korrupsion të kenë më pak hapësirë të merren me këtë”, ka theksuar Mustafa.

Përveç tjerash, kryeministri Mustafa para përfaqësuesve të bizneseve ka paralajmëruar se së shpejti do të krijohet edhe fondi për përkrahjen e bizneseve, fond ky i cili do të garantojë kredi për disa ndërmarrje të vogla dhe të mesme.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracey Annn Jacobson, ka theksuar se është e lumtur që biznesi dhe qeveria janë bashkuar për të diskutuar për zhvillimin ekonomik dhe mundësitë e nxitjes së investimeve, ku niveli i tyre, sipas saj, ka pësuar rënie viteve të fundit.

“Besoj që sfida më e madhe me të cilën përballet Kosova është zhvillimi ekonomik afatgjatë dhe e dimë se element kyç për zhvillimin ekonomik është sektori privat, ndërkaq për rritje ekonomike nevojitet rritje e produktit të brendshëm dhe investime të huaja të drejtpërdrejta”, theksoi Jacobson.

Jacobson tha se duhet të bëhet më shumë për të ndryshuar perceptimet sa i përket korrupsionit në Kosovë.

Sipas saj qeveria duhet të përmirësojë efikasitetin e prokurimit dhe të mos i mbajë në pozita vendimmarrëse zyrtarët që kanë padi për korrupsion.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG