Ndërlidhjet

Gjykata Speciale nuk ka alternativë


Kosova nuk ka alternativa tjera kur është në pyetje themelimi i Gjykatës Speciale për krimet e luftës, thonë analistët politik në Prishtinë.

Mesazheve të fuqishme politike të zyrtarëve ndërkombëtar, iu shtua edhe ai ministrit të Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier i cili tha pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, tha se themelimi i Gjykatës Speciale për Krime Lufte nuk është favor që i bëhet bashkësisë ndërkombëtare, por vet Kosovës.

Analisti politik, Imer Mushkolaj thotë se diplomat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa, u kanë bërë të qartë institucioneve të Kosovës se themelimi i kësaj gjykate do të jetë një proces i pashmangshëm.

Ndërkaq, pas vizitës së diplomatit gjerman në Prishtinë, Mushkolaj thotë se gjerat tashmë janë bërë edhe më të qarta.

"Kjo vizitë bëhet edhe më e veçantë dhe më e rëndësishme kur kemi parasysh se fokusi ishte pikërisht te krijimi i Gjykatës Speciale. Unë besoj që pas kësaj vizite, gjerat sado që kanë qenë të qarta, tash janë qartësuar edhe më shumë se Kosova nuk ka si t'i shmanget krijimit të kësaj gjykate", ka thënë Mushkolaj, për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq analisti tjetër, Artan Muhaxhiri, mendon se ngjashëm me disa projekte madhore të cilat janë lansuar nga faktori ndërkombëtar edhe për Gjykatën Speciale institucionet e Kosovës nuk do të kenë shumë alternativa.

Ai pret që Kuvendi i Kosovës, pa ndonjë problem ta votoj themelimin e saj bashkë me miratimin paraprak të ndryshimeve kushtetuese.

"Nuk mendoj se do të jetë e mundur që të mos pranohet themelimi i Gjykatës Speciale. Është e qartë se presionet tashmë janë duke u shtuar dhe ato do të rriten në të ardhmen, prandaj në fakt si kryeministri Mustafa, ashtu edhe zëvendëskryeministri Thaçi, nuk kanë ndonjë opsion tjetër përveç pranimit të saj", ka theksuar Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Themelimin e Gjykatës Speciale për Krimet e Luftës aktualisht po e kundërshtojnë tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma.

Artan Muhaxhiri thotë se AAK dhe Nisma, në një periudhë kohore e mbështesnin krijimin e kësaj gjykate dhe se pozicionimi kundër erdhi pasi që ato mbetën në opozitë, përderisa Vetëvendosje që nga fillimi ishte kundër.

Por, tani kur koalicionit qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës i është ribashkuar edhe Lista Serbe pas bojkotit prej tre muajve, ai nuk pret që opozita të mund të ndikojë në këtë proces.

"Kundërshtimi i opozitës është i pakuptueshëm pasi që nuk do të mund të fitojnë as poena politik, pasi që edhe qytetarët besoj që e kanë kuptuar se nga përvoja e gjatë me bashkësinë ndërkombëtare se kur një projekt i madh dizajnohet në BE apo gjetiu, atëherë edhe nuk ka asnjë alternativë tjetër nga faktorët kosovar", ka deklaruar Muhaxhiri.

Në anën tjetër, analisti Imer Mushkolaj beson që dy partitë opozitare, AAK dhe Nisma, sado që po e kundërshtojnë këtë gjykatë në fund mund të ndodhë që ta përkrahin.

Me këtë veprim, edhe kjo pjesë e opozitës, sipas tij, do të tregonte se i përfill mesazhet e vendeve mike të Kosovës.

"Besoj se të paktën AAK-ja e cila deri tash e ka refuzuar, pavarësisht se më herët ishte për themelimin e kësaj gjykate, por edhe Nisma për Kosovën do ta votojnë krijimin e saj".

"Kështu mendoj sidomos pas vizitës dhe mesazheve të ministrit gjerman pavarësisht, të cilat ne mund t'i konsiderojmë si propozim ndihme nga një ministër i një shteti mik, megjithatë ky ishte edhe një presion pasi që ne e dimë se presionet vijnë edhe në këtë formë", ka deklaruar Mushkolaj.

Gjykata Speciale u lansua si ide pas raportit të senatorit zviceran Dick Marty të prezantuar në Këshillin e Evropës mbi supozimet e tij për trafikim të organeve të disa civilëve serbë nga disa ish-pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mbi bazën e këtyre pretendimeve, prokurori amerikan, Clint Williamson kishte zhvilluar edhe një hetim të gjerë.

Me vendimin për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte, në Kosovë do të krijoheshin disa dhoma të veçanta të cilat do të jenë në kompetencë të prokurorëve dhe gjykatësve ndërkombëtar.

Selia e Gjykatës është thënë se do të jetë në njërin prej vendeve të Bashkimit Evropian, ku është apostrofuar Holanda.

Nga përfaqësuesit ndërkombëtar, në disa raste është tërhequr vërejtja se dështimi eventual i Kuvendit të Kosovës që të formoj Gjykatën Speciale për Krime Lufte, do t'i hapte mundësinë Këshillit të Sigurimit që ta themelonte atë.

XS
SM
MD
LG