Ndërlidhjet

Ritëm i ngadalshëm i ndihmave në Nepal


Zemërimi është rritur në pjesët rurale të Nepalit, për shkak të ritmit të ngadalshëm të ndihmave, pas tërmetit shkatërrues.

Të mbijetuarrit në disa zona thonë se nuk kanë marrë ende as ushqim, as barna.

Korrespondentët e BBC-së raportojnë se në fshatrat në verilindje të kryeqytetit Kathmandu, nuk ka mbetur asnjë ndërtesë pa u prekur dhe se trupat vazhdojnë të qëndrojnë të shtrirë nën rrënoja.

“Do të vdesim nëse nuk vjen asnjë ndihmë nga qeveria ose organizatat e tjera”, ka thënë një banor i fshatit Deupur Sipaghat Kavre.

Në fshatin Sanga Chowk, banorët e zemëruar kanë bllokuar rrugën kryesore dhe kanë ndaluar kamionët e ngarkuar me oriz, të destinuar për zona të tjera.

Skena më të zemëruara janë parë në Dolakha, në lindje të Kathmandu, kur banorët kanë thyer dritaret e një ndërtese administrative lokale, ka thënë shefi i qarkut, Prem Lal Lamichhane.

“Mbi 200,000 njerëz janë pa strehë. Na është thënë se ndihmat janë nisur, por ato nuk kanë arritur ende”, ka thënë ai.

Kombet e Bashkura kanë bërë apel për 415 milionë dollarë, për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti në Nepal.

OKB ka thënë se do që të mbështesë përpjepkjet e qeverisë për të ofruar ndihmë emergjente gjatë tre muajve të ardhshëm.

“Përpjekjet duhet të ruhen dhe të rriten për të siguruar se ndihma jetike arrin të gjithë të prekurit, sidomos ata në zonat e largëta”, ka thënë koordinatori rezident i OKB-së për Nepalin, Jamie McGoldrick.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka biseduar me kryeministrin e Nepalit, Sushil Korala, për t’i ofruar ndihmë për të mbijetuarit, përfshirë edhe ndihmën ushtarake të SHBA-së.

Autoritetet në Nepal kanë bërë të ditur se numri i të vdekurve nga tërmeti ka arritur në gati 5,500. Policia në kryeqytetin Kathmandu ka thënë se 11,440 njerëz janë plagosur.

Zyrtarët në Nepal kanë bërë të ditur sot se një adoleshent është nxjerrë i gjallë nga rrënojat e një ndërtese në Kathmandu, pesë ditë pas tërmetit.

Tërmeti, prej 7.8 shkallësh të Richterit që ka goditir më 25 prill, ka qenë më i rëndi në Nepal në më shumë se 80 vjet.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG