Ndërlidhjet

Kriza politike po reflektohet negativisht në sferën e ekonomisë, ndërsa pasojat më së shumti po i ndjejnë kompanitë e mëdha, por pa anashkaluar edhe konsumatorët e thjeshtë, thonë afaristët, duke kërkuar siguri politike që të mund të realizojnë parashikimet e tyre investuese në vend.

“Kriza politike para së gjithash po ndihet tek oligarkët, apo tek kompanitë e mëdha ku ka ngecje në qarkullimin e kapitalit. Ngecjet në zhvillimin ekonomik po i ndiejnë edhe konsumatorët e thjeshtë, por edhe ndërmarrjet e vogla pasi në situatën e krijuar kemi ulje të kërkesave dhe rritje të shpenzimeve“, thotë Zore Temelkovski, afarist.

Duke komentuar ankesat e afaristëve, Ministri i financave, Zoran Stavreski, pranon se atyre u nevojitet stabilitet i qëndrueshëm që të mund të realizojnë projektet e planifikuara.

Përkundër ankesave, Stavreski nuk pret përkeqësim të gjendjes ekonomike, por edhe ai vlerëson se një zgjidhje e krizës politike do të ishte e mirëseradhur për bizneset vendore, por edhe për kompanitë tjera që hezitojnë për të investuar në Maqedoni.

“Pres që rezultatet në ekonomi tani për tani nuk do të përkeqësohen, por gjithçka varet nga ajo se sa shpejtë do të kapërvcehet kriza politike. Vlerësoj se është mirë që të dilet nga kjo situatë dhe bizneset të fillojnë me realizimin e parashikimeve të tyre në ekonomi“, thotë Ministri i financave, Zoran Stavreski.

Por, kriza politike dhe premtimet e shumta të qeverisë, beneficionet për raste të ndryshme, paralajmërimet për rritjen e pagave në sektor të ndryshëm, kanë rritur edhe deficitin buxhetor.

Vetëm për tre muaj, deficiti ka arritur në mbi 100 milion euro, apo gati një e treta nga ajo që ishte paraparë të rritet gjatë tërë vitit.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Shkupit, Zoran Ivanovski, thotë se për shkak të uljes së aktiviteve ekonomike si pasojë e krizës politike, është reale që të pritet rritja e deficiteti buxhetor, apo të mos realizohet mbushja e buxhetit sipas parashikimeve të qeverisë.

“Vlerësoj se nuk do të ketë ndryshime të theksuara sa i përket politikës ekonomike në krahasim me periudhën e deritanishme. Konsideroj se është reale që të presim rritje të deficitit buxhetor“, thotë Ivanovski.

Izet Zeqiri, profesor i ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se në Maqedoni mungon transparenca e punës së institucioneve, mungon kontrolli i shpenzimeve të parave buxhetore andaj edhe sipas tij, kemi përkeqësim të gjendjes së ekonomisë, të cilën tani e rëndon edhe ajo politike.

“Jotransparenca vjen në shprehje edhe gjatë hartimit të buxhetit, por më shumti gjatë shpenzimit të parave publike. Maqedonia është shteti i vetëm në rajon ku Kuvendi, pra institucioni që kontrollon punën e ekzekutizit, nuk i shqyrton apo aspak nuk i analizon raportet e revizionit shtetëror, të cilat në mënyrë të detajuar përmbajnë të gjitha lëshimet, dobësitë që kanë institucionet gjatë harxhimit të parave publike“, thotë Zeqiri.

XS
SM
MD
LG