Ndërlidhjet

logo-print

Skepticizëm rreth padisë së Kosovës ndaj Serbisë për gjenocid


Nisma që Kosova të ngreh padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ndaj Serbisë, nga monitorues të drejtave dhe lirive të njeriut në Prishtinë po cilësohet si jo serioze, e vonuar dhe me fare pak gjasa për sukses.

Si hap të parë drejt ngritjes së padisë, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë iniciativën që të miratohet fillimisht një rezolutë në Kuvendin e Kosovës për dënimin e krimeve të Serbisë në Kosovë, kurse më pas, të ngritet edhe padia për gjenocid.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci thotë se aktualisht po bisedohet edhe me partitë tjera në Kuvend në mënyrë që të ketë një rezolutë të unifikuar nga të gjitha subjektet relevante politike.

"Partia Demokratike e ka marrë këtë iniciativë. Ne po presim që t'i realizojmë qëndrimet tona me të gjitha grupet parlamentare. Të kemi një konsensus të plotë dhe pastaj të procedojmë në Kuvendin e Kosovës. Fillimisht do ta nxjerrim si rezolutë dhe pastaj normalisht që do të inicohet edhe padia dhe të gjitha procedurat tjera të nevojshme të cilat do të ndiqen deri në fund", ka deklaruar Grabovci për Radion Evropa e Lirë.

Këto hapa politik të partisë më të madhe të koalicionit qeverisës për monitoruesit e të drejtave të njeriut po shihen si një lloj shpërqendrimi politik nga disa zhvillime që priten në Kosovë, sidomos nga procesi i themelimi i Gjykatës Speciale për krime lufte e cila mund të ketë në shënjestër disa nga figurat e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Drejtori Ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, Behxhet Shala, thotë se një nismë e tillë është vonuar për të paktën 10 vjet.

Andaj, një iniciativë kaq të vonuar sipas tij, duhet parë më shumë si një retorikë politike.

"Tashmë 16 vjet nga përfundimi i luftës, kur kanë filluar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është bukur problematike që të bëhet kjo padi, aq më parë që Gjykata apo Drejtësia e Hagës nuk e ka kualifikuar si gjenocid edhe krimin në Srebrenicë, por e ka përjashtuar Serbinë si një pjesëmarrëse të drejtpërdrejtë në gjenocid", ka theksuar Shala për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Behxhet Shalës, asnjë shtet me ndikim në Evropë e më gjerë nuk do ta dëshironte fajësimin e Serbisë me gjenocid, pasi që kjo do ta falimentonte atë si shtet duke e detyruar në kompensimin e të gjitha viktimave.

Shala pret që padia e paralajmëruar nga Kosova të relativizohet gradualisht në procesin e bisedimeve politike që Prishtina dhe Beogradi po zhvillojnë në Bruksel.

Madje edhe po të ekzistonte një nismë serioze, thotë tutje Shala, Kosova sipas tij, nuk ka arritur të mbledh fakte e argumente të mjaftueshme për ta dëshmuar dhe dokumentuar gjenocidin.

"Sa më tepër që kalon koha, aq më vështirë do të jetë të dëshmohen krimet që kanë ndodhur në Kosovë. Aq më parë që se kemi thua se asnjë pasqyrë të saktë, sidomos të dëmeve materiale që kanë ndodhur në Kosovë".

"Dihet për viktimat e njerëzve, është lista e të vrarëve, është lista e të zhdukurve, por për dëmet materiale, dëmet ekonomike, vjedhja e kursimeve, e fondit pensional e tjera, është vështirë të realizohet, sepse dihet mirë që edhe Komisioni i Badinterit e pati përjashtuar Kosovën nga procesi i ndarjes së pasurisë nga ish-Jugosllavia", ka theksuar Shala.

Po në lidhje me këtë padi, edhe drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj thotë se nga mbarimi i luftës e këndej institucionet e Kosovës nuk kanë bërë ndonjë punë në drejtim të përgatitjes së ndonjë padie për gjenocid ndaj Serbisë.

Kështu që ai këtë nismë tani e sheh më shumë për konsum politik të brendshëm sesa diçka serioze. Ai merr si shembuj edhe rastet e shteteve të dala nga ish-Jugosllavia të cilat provuan të fitojnë padi të tilla, por nuk ia arritën qëllimit.

"Mund të shërbehemi me përvojat e Kroacisë dhe Serbisë të cilat e kanë paditur njëra tjetrën për gjenocid. Më herët edhe Bosnja e Hercegovina ka bërë një padi të tillë ndaj Serbisë dhe kanë dështuar të gjitha këto padi. Të gjitha janë hedhur poshtë, përkatësisht janë tërhequr. Kjo tregon se sa është e vështirë që të provohet para një gjykate gjenocidi".

"Pas Luftës së Dytë Botërore, në Evropë vetëm Tribunali i Hagës kur është fjala për masakrën e Srebrenicës ka mund të dëshmoj se ka qenë gjenocid. Jo në gjithë territorin e Bosnje e Heregovinës ndonëse e dimë që ka pasur krime të tmerrshme gjithandej Bosnje e Hercegovinës", ka thënë Blakaj.

Duke marrë parasysh përvojat e vendeve tjera, sidomos atyre të dala nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, Bekim Blakaj shprehet skeptik që Kosova mund të dokumentoj gjenocidin, madje edhe po të punonte seriozisht në këtë drejtim.

"Është jashtëzakonisht e vështirë, e besa edhe e kushtueshme që të përgatitet një lëndë dhe me sukses të prezantohet para gjykatës dhe dëshmohet se ka pasur gjenocid. Kështu që në këtë aspekt jam shumë skeptik, madje edhe po të merrej seriozisht nga institucionet dhe të angazhoheshin avokatët më të mirë është goxha e vështirë që të dokumentohet para gjykatës që ka ekzistuar gjenocidi", ka thënë Blakaj.

Si konkludim, Bekim Blakaj e sheh këtë nismë edhe si një përpjekje të institucioneve që të krijohet shpërqendrim dhe një balanc politik në kohën kur Kuvendi i Kosovës pritet të themeloj Gjykatën Speciale për krime lufte.

Por, me një konstatim të tillë nuk pajtohet Adem Grabovci nga PDK-ja, ndërsa pranon se padia ndaj Serbisë në këtë kohë mund të jetë pak e vonuar.

Grabovci kundërshton ashpër kritikat që i bëhen kësaj partie se nisma për padi po përdoret më tepër për konsum të brendshëm.

"Është absurde një akuzë e tillë sepse me gjëra të tilla nuk ka konsumim të brendshëm. Absolutisht ai që mendon të përfiton poena politik nga këto gjera gabohet shumë rëndë dhe do të jetë i dështuar. Kjo është një çështje që nuk i takon vetëm PDK-së, por u takon të gjithëve", ka thënë Grabovci.

E vonuar apo jo, padia ndaj Serbisë do të ngritet, kishte deklaruar kohë më parë, zëvendëskryeministri i Kosovës dhe lideri i PDK-së Hashim Thaçi.

"Kosova do të ngreh padi për gjenocid ndaj Serbisë. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, sepse dhuna dhe spastrimi etnik ka qenë i dirigjuar drejtpërdrejtë nga shteti i Serbisë në Kosovë. Prandaj në momentin që krijohen rrethanat e përshtatshme legale për Kosovën si shtet, ne do ta ngrisim këtë çështje", ka deklaruar Thaçi.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, është një gjykatë e përhershme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara me seli në Hagë.

Statuti i saj parasheh që para kësaj gjykate të aplikojnë shtetet që janë anëtare të Kombeve të Bashkuara. Kosova nuk është anëtare e OKB-së, por, beson se ka mundësi legale që të shfrytëzohet një paragraf tjetër ku thuhet se pjesë e saj mund të jenë edhe vendet që nuk janë nënshkruese të statutit dhe nuk janë pjesë e OKB-së, por që pranojnë dispozitat dhe obligimet e dala nga statuti i gjykatës.

Kurse si alternativë tjetër, Kosovës i mbetet të pres anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe më pas t'i ndërmerr hapat drejt padisë, pasi që këto krimet e luftës dhe gjenocidi nuk vjetërsohen për nga koha.

Qeveria e Kosovës, pati paralajmëruar se do ta nisë mbledhjen e fakteve për të argumentuar, siç ishte thënë “të vërtetën shkencore dhe profesionale për krimet e luftës”, dhe në këtë kuadër, në vitin 2011 pati krijuar Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Por, tash, katër vjet pas përurimit të këtij instituti, ai mbetet ende në konsolidim e sipër.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG