Ndërlidhjet

Austria nuk e ekstradon miliarderin ukrainas në SHBA

  • RFE /RL

Austria -- Dmytro Firtash, one of Ukraine's most influential oligarchs, appears in court in Vienna, April 30, 2015

Austria -- Dmytro Firtash, one of Ukraine's most influential oligarchs, appears in court in Vienna, April 30, 2015

Një gjykatë në Austri e ka hedhur poshtë kërkesën amerikane për ekstradimin e një miliarderi ukrainas në SHBA ku do të duhej të përballet me akuzën për korrupsion.

Industrialisti miliarder ukrainas, Dmytro Firtash, bashkëpunëtor i afërt i ish presidentit ukrainas, Viktor Yanukovych i ka hedhur poshtë akuzat për ryshfet dhe pastrim parash, ndërsa është ankuar se autoritetet amerikane janë ndikuar nga ish kryeministrja ukrainase, Yulia Tymoshenko.

Vendimi është marrë pas një procesi 12 orësh, ndërsa prokuroria ka thënë se do e apelojë vendimin.

Dmytro Firtash, 49 vjeçar, është arrestuar vitin e kaluar në Vjenë me kërkesë të autoriteteve amerikane, të cilët kanë qenë duke e hetuar atë prej vitit 2006.

Firtash i ka thënë gjykatës në Vjenë që akuzat se ai ka bërë përpjekje që të korruptojë zyrtarët e qeverisë indiane janë “tërësisht të pavërteta”.

Në vitin 2013, një gjykatë në në Çikago të SHBA-ve e ka akuzuar Firtashin, së bashku me disa pjesëtarë të parlamentit Indian me dyshimin se iu kanë dhënë ryshfet pjesëtarëve të qeverisë indiane që të hapet mundësia e shfrytëzimit të mineraleve.

Ai ishte liruar nga paraburgimi në mars të vitit të kaluar pasi kishte paguar kaucion në vlerë prej 125 milionë dollarëve.

Biznesi i Firtashit që përfshinë tregtinë me gaz dhe me kemikale ka lulëzuar gjatë regjimit të ish presidentit, Viktor Yanukovych.

Gjatë proceseve të kësaj jave në Vjenë, manjati miliarder, i veshur me një koshtum gri dhe me një kravatë të kuqe, i ka thënë gjykatës vjeneze se akuzat se ai ka bërë përpjekje të korruptojë qeveritarët indianë janë “tërësisht absurde” dhe “absolutisht të pavërteta”.

“Unë tashmë disa herë e kam shprehur besimin tim në sistemin e drejtësisë austriake. Sot, ky besim më është verifikuar i drejt”, ka thënë Firtash në një komunikatë dërguar mediave pas vendimit kundër ekstradimit të tij.

Firtash e ka portretizuar vetën si viktimë të një fushate politike nga Uashingtoni.

Avokatët e tij, duke cituar kabllograme diplomatike amerikane ku shprehet mosbesim ndaj oligarkut ukrainas, kanë thënë se ai ka nxitur dyshimin amerikan pas themelimit të një kompanie të përbashkët me gjigantin rus të gazit, ‘Gazprom’ për t’i dërguar gaz Ukrainës.

Firtash thotë se ai ka vepruar nga sinqeriteti që t’i jap fund mospajtimeve ukrainaso-ruse rreth çmimeve të gazit.

Miliarderi ka shfrytëzuar pasurinë e tij që të përkrah ish presidentin ukrainas, Viktor Yanukovych para se ai të largohej nga pushteti. Ai thotë se autoritetet amerikanë janë të ndikuara nga rivali politik i Yanukovychit, Yulia Tymoshenko.

Kur Tymoshenko ka qenë kryeministre në vitin 2009, ajo kishtë nënshkruar një marrëveshje gazi me Moskën që i kishte dhënë fund biznesit me gaz të Firtashit.

Ajo humbi zgjedhjet presidenciale kundrejt Yanukovychit në vitin 2010.

Një vit më vonë, Tymoshenko është shpallur fajtore dhe ishte burgosur se kishte abuzuar me fuqinë e saj si kryeministër për të arritur marrëveshjen.

Gjykatësi austriak që vendosi kundër ekstradimit, Christoph Bauer, ka thënë se zyrtarët amerikanë nuk kanë ofruar të gjitha dokumentet e kërkuara nga gjykata si dëshmi për kërkesën.

Gjykata ka thënë se kaucioni mbetët në fuqi, por Firtash mund të largohet nga Austria me kushtin që të jetë e mundshme të kontaktohet përmes avokatëve të tij.

Kim Nerheim, zëdhënësja e Zyrës së Prokurorit në Çikago, nuk ka pranuar të komentojë vendimin e gjykatës austriake.

Përgatiti: Artan Haraqija
XS
SM
MD
LG