Ndërlidhjet

Nigeri: Ushtria i çliroi edhe 234 femra nga militantët


Banorët në Nigeri duke shprehur mbështetje për luftën e ushtrisë së Nigerisë kundër grupit Boko Haram
Banorët në Nigeri duke shprehur mbështetje për luftën e ushtrisë së Nigerisë kundër grupit Boko Haram

Ushtria e Nigerisë i ka shpëtuar edhe 234 gra dhe vajza nga baza e grupit militant, Boko Haram, në pjesën verilindore të këtij vendi, kanë njoftuar mbrëmë vonë autoritetet.

Kështu, numri i femrave që janë çliruar nga rrëmbyesit ka arritur në më tepër se 667.

Ushtria ka vendosur forca tokësore në terren, pas disa javëve të sulmeve ajrore ndëshkuese kundër bazave të militantëve në malet Sambisa.

Disa femra kishin shtënë kundër shpëtimtarëve dhe ishin vrarë, meqë grupi Boko Haram i kishte shfrytëzuar ato si mburojë të armatosur njerëzore.

Ushtria e Nigerisë tha se po zhvillohen kontrolle mjekësore të femrave, disa prerj të cilave janë shtatëzëna, ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë të traumatizuara.

Nuk është e njohur nëse në mesin e këtyre femrave gjendet ndonjë nxënëse e shkollës në qytetin Çibok, që ishin rrëmbyer nga grupi Boko Haram. Ky rrëmbim masiv ishte pritur me tmerr në mbarë botën.

Organizata Amnesty International vlerëson se militantët i kanë rrëmbyer afro dymijë gra e vajza, prej fillimit të vitit 2014.

Nga kryengritja gjashtëvjeçare e grupit, Boko Haram, në Nigeri dhe vendet fqinje, janë vrarë afro 130 mijë vetë dhe së paku 1.5 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

XS
SM
MD
LG