Ndërlidhjet

SHBA: Obama e nderoi gazetaren ruse dhe dy të tjerë


Fatima Tlisova
Fatima Tlisova

Presidenti amerikan, Barack Obama, i ka dënuar sulmet kundër shtypit të lirë në gjithë botën, derisa mbrëmë në Shtëpinë e Bardhë, e ka pritur gazetaren ruse, Fatima Tlisova, dhe dy reporterë të tjerë.

Presidenti Obama ka shprehur keqardhje për gazetarët e vrarë nga terroristët në Irak dhe ka shprehur përkushtim për të kërkuar lirimin e shefit të zyrës së gazetës, Washington Post, në Teheran, Jason Rezaian, i cili është i burgosur në Iran, lidhur me akuzat për spiunim, të cilat Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë të rrejshme.

“Për fat të keq, në shumë vende të botës, shtypi i lirë është nën sulmin e qeverive, që dëshirojnë t’i shmangen së vërtetës”, tha Obama në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa afër tij ishte gazetarja Tlisova dhe dy gazetarë të tjerë nga Vietnami dhe Etiopia.

Gazetarja Fatima Tlisova, më parë kishte punuar për Radion Evropa e Lirë, por ajo më vonë ishte larguar nga Rusia, për shkak të disa viteve të keqtrajtimit dhe tash punon për Zërin e Amerikës dhe e mbulon rajonin e Kaukazit Verior të Rusisë.

“Gazetarët keqtrajtohen, e ndonjëherë edhe vriten dhe mediat e pavarura janë mbyllur”, tha Obama, dhe ka shtuar se roli i gazetarëve është “që të gjithë neve, si shtetas, të na japin rast për ta njohur të vërtetën për vendet tona, për vetveten, për qeveritë tona... dhe për t’i mbajtur liderët, siç jam unë, përgjegjës”.

Këto komente u bënë para datës 3 maj, kur shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit.

XS
SM
MD
LG