Ndërlidhjet

Shqipëria përgatitet për zgjedhjet vendore


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Më 21 qershor, Shqipëria do të zhvillojë zgjedhjet vendore. Për herë të parë në këto zgjedhje do të aplikohet ndarja e re territoriale, në bazë të së cilës do të jenë vetëm 61 njësi vendore nga 373 që janë aktualisht.

Në këto zgjedhje përballen koalicioni i majtë i Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim - Aleanca për Shqipërinë Evropiane , koalicion i cili ka 39 parti në përbërje, dhe koalicioni i djathtë kryesuar nga Partia Demokratike -Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet, që ka 15 parti.

Lëvizja Socialiste do të ketë 15 kandidatë të saj në zgjedhjet vendore, ndërsa aleatët e tjerë të PS-së, do të përfaqësohen nëpër këshillat bashkiakë.

Vëmendja është përqendruar te kryeqyteti i vendit, Tirana. Mazhoranca kandidon me Erjon Velinë, i cili dorëzon postin e ministrit të Mirëqenies Sociale, për të garuar për Tiranën.

Përballë tij është deputeti i Partisë Demokratike, Halim Kosova. Gjithashtu, në garë për Tiranën janë edhe disa kandidatura të pavarura, ku spikat Gjergj Bojaxhiu, ish-drejtues i KESH-it, një prej përfaqësuesve të së djathtës.

Ndonëse fushata zyrtarisht nis në 21 maj, tashmë kandidatët dhe partitë kanë nisur takimet në bazë dhe hartimin e strategjive e platformave elektorale.

Ndërkohë, vëmendja ndërkombëtare është te çështja e dekriminalizmit.

Ambasadoriamerikan Donald Lu, para disa ditësh përmendi disa raste, sipas tij, të identifikuara si me histori të mundshem kriminale.

“Kemi identifikuar disa emra personash me histori të mundshme kriminale. Jemi duke i diskutuar rastet e tyre me udhëheqësit politik. Nxisim gazetarët, organizatat joqeveritare dhe qytetarët e zakonshëm, të kërkojnë që politikanët e tyre të përmbushin standardet më të larta etike”, deklaroi Lu.

Media dhe burime nga Partia Socialiste publikuan një listë me 7emra të kandidatëve të Partisë Demokratike, të cilët sipas socialistëve, kanë rekorde të mundshme kriminale.

Nën akuzën e Partisë Demokratike është një kandidat i Partisë Socialiste. Megjithatë, partitë kanë deklaruar se listat e tyre janë të pastra.

Zgjedhjet e 21 qershorit do të vëzhgohen nga ODIHR. Organizata që do të vëzhgojë procesin me 24 vëzhgues afatgjatë dhe 250 afatshkurtër në ditën e zgjedhjeve dhe raporton se janë shprehur disa shqetësime për mundësinë e presionit ndaj votuesve, abuzimeve me burimet shtetërore dhe për blerjen e votave.

Edhe për këto zgjedhje si ODHIR, si Parlamenti Evropian, konstatojnë se mbarëvajtja e procesit zgjedhor do të jetë në varësi të vullnetit politik të dy partive kryesore.

XS
SM
MD
LG