Ndërlidhjet

SHBA: Është kthyer qetësia në Baltimorë


Pamje nga protestat në Baltimorë

Mijëra njerëz janë mbledhur mbrëmë në qytetin amerikan Baltimorë për ta mbajtur atë që organizuesit thanë se ishte “tubim i fitores”, një ditë pasi gjashtë oficerë të policisë janë akuzuar për vdekjen e të riut zezak, Freddie Gray, i cili vdiq derisa ishte në arrest policor.

Sipas raporteve lokale, demonstrata paqësore filloi me marshin e disa qindra njerëzve, por ajo u rrit në mijëra pjesëmarrës të tubuar para ndërtesës së bashkisë së qytetit.

Situata e mbrëmshme, në masë të madhe dallohej nga ajo e trazirave të 27 prillit, kur guvernatori i ftoi pjesëtarët e Gardës Kombëtare, për ta vënë situatën nën kontroll.

Me këtë rast, ishin djegur dhe vjedhur dyqane, ndërsa disa persona ishin arrestuar nga policia, derisa ishte rivendosur rendi.

Më 1 maj, prokurorja shtetërore në Baltimorë, Marilyn Mosby, i akuzoi gjashtë oficerë të policisë, që ishin të përfshirë në arrestimin e të riut 25 vjeçar, Freddie Gray, më 12 prill.

XS
SM
MD
LG