Ndërlidhjet

Sundimi i ligjit i hap rrugën Kosovës drejt BE-së


Ilustrim

Ilustrim

Kosova është në fazën e fundit të përmbushjes së kritereve të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për zonë Schengen dhe përmbushja e këtyre kritereve tash është çështje e vullnetit politik.

Kështu deklaruan përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane, që udhëhiqet nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në takim Jahjaga theksoi se ekziston një pajtim i përgjithshëm i institucioneve të Kosovës, që deri në fund të muajit maj të dorëzohet raporti për të vlerësuar përmbushjen e standardeve të përcaktuara nga Komisioni Evropian.

“Mungesa e rezultateve në vendosjen e rendit dhe ligjit dhe krijimin e shtetit të së drejtës, do të jetë faktori përcaktues për shpejtësinë, me të cilën Kosova do t’u hapë rrugë investimeve të huaja në vend - aq të nevojshme për krijimin e vendeve të punës dhe të ecë drejt Bashkimit Evropian për ta realizuar vizionin tonë që na bashkon”, tha Jahjaga.

Duke aluduar në migrimin ilegal, presidentja Jahjaga theksoi se “në pjesën e parë të këtij viti, Kosova ka pasur sfida dhe tensionime të ndryshme, të cilat duhet të kuptohen si thirrje për t’i thelluar reformat në Republikën e Kosovës dhe për t’i hapur rrugë perspektivës ekonomike për qytetarët”.

“Praktikave korruptive duhet t’iu jepet fund, sepse ato po lëkundin besimin e qytetarëve tanë dhe po shkatërrojnë shpresën e tyre për ta bërë Kosovën vend të perspektivës dhe të prosperitetit, koncept të qëndrueshëm që qytetarët tanë duan ta quajnë shtëpi të përhershme”, tha ndër tjerash Jahjaga.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, theksoi se institucionet e Kosovës do ta përmbyllin raportin final për çështjen e liberalizimit e vizave, në të cilin do të pasqyrohet progresi në përmbushjen e detyrave të mbetura.

“Jemi të vetëdijshëm për kriteret e mbetura dhe të pa-adresuara, për të cilat institucionet tona janë zotuar se do t’i përmbyllin deri më 15 maj. Jemi zotuar se institucionet tona do ta dorëzojnë raportin final deri në fund të majit, ku do të pasqyrohet progresi në përmbylljen e kritereve të mbetura”, theksoi Mustafa.

Edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të Kosovës, pjesë e këtij Këshilli, thanë se janë duke punuar intensivisht që sa më parë të përfundojnë obligimet e marra nga Komisioni Evropian, lidhur me kushtet e përcaktuara për liberalizimin e vizave.

Kryetari i Kuvendit të Kosovë, Kadri Veseli, tha se Kuvendi, çështjen e liberalizimin të vizave po e trajton dhe do ta trajtojë edhe më tutje si prioritetin më të lartë kombëtar.

Kurse, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, tha se nuk ka shumë kohë për adresimin e të gjitha rekomandimeve të mbetura nga raporti i dytë, i cili doli në korrik të vitit të kaluar nga komisioni vlerësues, por sipas tij, si pasojë e vonesës së krijimit të institucioneve të Kosovës dhe çështjes së migrimit ilegal, disa çështje kanë mbetur të papërfunduara.

“Përmirësimi i sundimi i ligjit është shumë i nevojshëm, adresimi i korrupsionit, krimit të organizuar. Në veçanti, dua të potencoj se duhet të ketë një evidencë për rastet, të cilat trajtohen në gjykata, e që kanë të bëjnë me trafikim me njerëz, kontrabandë dhe trafikim droge, prokurimin publik dhe shpëlarjen e parave”, u shpreh Zhbogar.

Ai theksoi se “Kosova duhet t’i adaptojë në përgjithësi edhe tetë ligje dhe duhet që Kuvendi t’i diskutojë e miratojë në javët e ardhshme”.

Zhbogar porositi përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës që të mos i anashkalojnë rekomandimet për implementimin e politikave, të cilat janë rekomanduar nga Komisioni Evropian.

Shefi i BE-së në Kosovës, theksoi se “ri-integrimi i qëndrueshëm i mijëra njerëzve, posaçërisht të atyre që e kanë lënë Kosovën në fillim të këtij viti, do të jetë një sfidë e madhe”.

Njohës të integrimeve evropiane konsiderojnë se forcimi i sundimit të ligjit në Kosovë, ende nuk ka ndodhur dhe si pasojë, thonë ata, do të vonojë edhe procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët.

Fatmir Curri nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), u shpreh skeptik për përfundimin e punëve me kohë nga ana e institucionet e Kosovës për liberalizimin e vizave.

“Edhe po t’i plotësojmë të gjitha kriteret e udhërrëfyesit, numri i azilkërkuesve ka qenë shumë i rritur. Numri i qytetarët nga Kosova, të zënë ilegalisht në vende të BE-së, ka qenë shumë i rritur”, tha Curri duke shtuar se kjo çështje do të paraqesë probleme.

Ndryshe, Komisioni Evropian në muajin e kaluar (më 30 prill), kishte miratuar me procedurë të shkruar, tekstin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

Me këtë hap, KE-ja ka përmbyllur procedurën e vet, e cila tani do t’i kalojë Këshillit, gjegjësisht shteteve anëtare për të marrë vendim për nënshkrimin e marrëveshjes.

Kriteret që duhet plotësuar Kosova për liberalizim vizash, disa herë janë përmendur në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.

Raporti i fundit, si shqetësim kryesor ka veçuar nivelin e lartë të korrupsionit, krimit të organizuar, ndikimin politik në institucione të pavarura, ndërhyrjet në gjyqësor, mungesën e reformës së administratës publike, e të tjera.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG