Ndërlidhjet

logo-print

Tensione në Bashkësinë Islame në Maqedoni


Dy grupet e konfrontuara në Bashkësinë Fetare Islame (BFI) në Maqedoni, vazhdojnë të mbrojnë pozicionet e tyre lidhur me ngjarjet në këtë institucion, që një ditë më parë rezultuan edhe më të shtëna armësh.

Grupi i myfiut të Shkupit, Ibrahim Shabani, që uzurpoi selinë e BFI-së, akuzon kryetarin e saj Sulejman Rexhepi për shkelje të rregullave islame, fyerjen e hoxhallarëve gjatë një manifestimi fetar, si dhe për keqpërodrime tjera.

Por, ky i fundit aktin e kreut të myftinisë së Shkupit e quan “puç ndaj institucionit fetar“, ndërsa Shabanin dhe njerëzit e tij i akuzon për “nxitje të tensioneve mes besimtarëve me qëllim destabilizimin e vendit“.

Gjendja u përshkallëzua pas vendimit të kryesisë së BFI-së, për shkarkimin e myftisë së Shkupit, të sekretarit të përgjithshëm të saj, Afrim Tahiri dhe të disa zyrtarëve tjerë.

Rexhepi në mbledhjen e kryesisë së BFI-së të mbajtur në zyrat e fakultetit të shkenceve islame në Kondovë, një fshat në dalje të Shkupit, akuzoi edhe struktura të caktuara të shtetit që sipas tij janë vënë në shërbim të myftiut të Shkupit.

Kjo, sipas Rexhepit, dëshmohet edhe me atë se policia përkundër incidentit të rëndë një ditë më parë nuk ka ndërmarrë asnjë masë për siç thekson, largimin e tyre nga selia e BFI-së.

“Ata janë të mjerë, por për fat të keq unë i frikësohem situatës së përgjithshme në Maqedoni, mos vallë dikush i keqpërdorë, për të ndihmuar situatën edhe ashtu të brishtë në vend. Kam informata se Prokuroria Publike e ka kryer punën e vet dhe vendimi i tij duhet të implementohet, të ekzekutohet, por si duket kjo punë zvarritet, si duket kjo punë sabotohet”, deklaroi kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi.

Por, grupi tjetër hedh poshtë pretendimet, ndërsa për problemet në BFI akuzon kreun e saj Sulejman Rexhepin, të cilit i kishte dhënë afat prej 48 orësh, që të kërkoj falje për të gjitha fyerjet dhe sharjet që pretendon se i ka bërë ai ndaj punonjësve të BFI-së.

Afrim Tahiri, ish sekretar i përgjithshëm i BFI-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimet e kryesisë janë të paligjshme pasi shumë prej personave që kanë marrë pjesë nuk janë anëtar të kryesisë.

Grupi i tij ka shpallur një këshill të përkohshëm të BFI-së me të cilin udhëheq, Ibrahim Shabani, myftiu i shkarkuar i Shkupit. Tahiri gjithashtu hedh poshtë pretendimet se grupi i tij ka uzurpuar BFI-në.

“Ne jemi punonjës të BFI-së dhe jemi në zyrat tona. Ne nuk kemi penguar asnjë punëtor tjetër për të kryer punët në zyrat e tyre. Përkundrazi dikush tjetër është munduar të na pengojë dhe jo rastësisht ka qenë edhe gjuajta me armë. Ajo nuk ndodhur nga përkrahësit e Suljeman Rexhepit“, thotë Tahiri.

Ai zgjidhjen e problemit e sheh në largimin e Rexhepit nga BFI-ja.

“Është rrënuar sistemi juridik i BFI-së. Zgjidhja e vetme e situatës është dorëheqja urgjente e Rexhepit për ti hapur rrugën BFI-së që ngadalë të kthehet në binarët e sistemit juridik“, thotë Tahiri

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se për rastin në fjalë po veprojnë në bazë të procedurave ligjore.

Për hetimin e rastit është kyçyr edhe prokuroria publike. Ndryshe, zhvillimet në BFI, në opionion ndërlidhen edhe me krizën politike.

Grupi i Sulejman Rexhepit, beson se institucionet shtetërore janë vënë në mbrojtje të grupit tjetër për shkak të kritikave që Rexhepi kishte drejtuar ndaj pushtetit aktual.

XS
SM
MD
LG