Ndërlidhjet

logo-print

Gurthemel "për vazhdim të miqësisë"


Përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, kanë marrë pjesë të martën në fillimin e punimeve të objektit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Ambasada Amerikane, do të ndërtohet në lagjen “Arbëria”.

Me ketë rast ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracy Ann Jacobson para të pranishmëve tha se me fillimin e ndërtimit të ambasadës marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve do të thellohen edhe më shumë.

“Në këto 16 vite ekipi ynë ka punuar me shumë zell, për ta mbështetur Kosovën në rrugëtimin e vetë në zhvillimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit dhe në zhvillimin ekonomik. Prandaj, e po e ndjej që sot po e vëmë gurthemelin jo vetëm për një ndërtesë tepër të domosdoshme, por edhe për shënimin e vazhdueshme të miqësisë sonë”, tha Jackobson.

Në ceremoninë e organizuar nga Ambasada Amerikane, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësues të ambasadave të huaja në Kosovë, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha se momenti i vënies se gurthemelit për ndërtimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, do të thotë fillimi i ndërtimit të shtëpisë së përhershme të amerikanëve në Kosovë.

“Bashkë kemi bërë goxha një udhëtim. Qëndruat përkrah nesh në momentet më sfiduese të shekullit të kaluar, dhe bashkërisht nisëm një kapitull të ri të shpresës dhe optimizmit në fillim të këtij shekulli për të kurorëzuar përpjekjet tona për Kosovën si shtet të të gjithë qytetarëve të saj shtatë vite më parë”, tha presidentja Jahjaga.

Për ndërtimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, ambasadorja Jacobson tha se do të punësohen mbi 700 qytetarë të Kosovës.

“Në këtë lokacion do ta ndërtojmë një ndërtesë e cila do të kushtojë rreth 215 milionë dollar dhe do të punësojë rreth 700 punëtor. E ndoshta lajmi i më i rëndësishëm është se do të ketë hapësirë të mjaftueshme për të hapur sektorin konsullor për vizat”, tha Jackobson.

Objekti i ri i ambasadës do të ketë një ndërtesë të re zyrtare, rezidencën për marinsa dhe disa objekte të tjera ndihmëse.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG