Ndërlidhjet

Tensione të reja në Shkup


Forcat e rendit janë përplasur me protestuesit para ndërtesës së qeverisë në Shkup. Disa protestues dhe policë kanë mbetur të lënduar.

Është sulmuar edhe një gazetar. Për shpërndarjen e rreth dy mijë protestuesve policia ka përdorur gazin lotësjellës dhe topat e ujit.

Protestat kanë shpërthyer të martën pasdite, menjëherë pas konferencës për shtyp të liderit të opozitës, Zoran Zaev, i cili publikoi incizime të reja, duke i quajtur si "dëshmi të reja të aferë e përgjimeve", ndërsa kishin të bënin kryesisht me vrasjen e një të riu maqedonas, në vitin 2011.

Zaev tha se Martin Neshkovski ishte vrarë nga policia, por rasti ishte fshehur nga pushteti.

Para godinës ishin tubuar protestuesit, duke brohoritur parulla si “Vrasës”, “Gruevski ik” e të tjera.

Ata kanë gjuajtur me gurë dhe vezë në drejtim të ndërtesës, ndërsa pati edhe përpjekje për hyrje brenda ndërtesës, por protestuesit u ndaluan nga forca të shumta speciale të qeverisë.

Në protestë kanë marrë pjesë pjesëtarë të të gjitha komuniteteve, ndërsa veçohet për herë të parë valëvitja së bashku e flamurit shtetëror maqedonas dhe atij shqiptarë.

Tensione në Shkup
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:54 0:00

Për incizimet e publikuara të martën, Zaev pretendon se kanë të bëjnë me biseda ndërmjet kryeministrit, Nikolla Gruevski dhe ministres së Brendshme, Gordana Jankullovksa, por edhe mes zyrtarëve të tjerë se si merren vesh për të fshehur rastin e vrasjes.

“Nikolla Gruevski në mënyrën më jo njerëzore ka gënjyer tërë opinionin maqedonas, nënën, familjen e të vrarit Martin Neshkovski. Që të shpejtoj sigurimin personal dhe veten e tij, ai Ministres së Punëve të Brendshme Jankullovska i sugjeron se çfarë epilogu duhet të ketë vrasja e këtij të riu”, ka deklaruar Zoran Zaev.

Por, pretendimet e kreut të opozitës janë kundërshtuar nga partia e kryeministrit, Nikolla Gruevski. VMRO DPMNE-ja sërish ka dalë me akuza ndaj Zaevit për destabilizim të vendit.

“Është më se e qartë se Zoran Zaev dhe LSDM-ja janë të vetëdijshëm për forcën e argumenteve të punës së tyre të jashtëligjshme dhe dështimin e skenarit të tyre të errët, andaj përmes materialeve të montuara që nuk kanë asgjë të përbashkët me kontekstin politik dhe nuk dëshmojnë asgjë joligjore, tentojnë që të tërheqin vëmendjen e opinionit. Zaev nuk mund të manipulojë​, të përvetësojë​ apo të shtrembërojë​ të vërtetën ashtu siç atij i konvenon madje as me materiale të montuara”, thuhet të reagimin e VMRO DPMNE-së.

Ka reaguar edhe ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska, e cila në momentin e nisjes së protestës po mbante një konferencë për mediat brenda qeverisë. Ajo tha se pretendimet e opozitës janë monstruoze, pasi sipas saj, policia ka vepruar në përputhje me ligjin, duke nxjerr para drejtësisë autorin e vrasjes.

XS
SM
MD
LG