Ndërlidhjet

Minsk: Takim i qeverisë së Ukrainës dhe kryengritësve


Leonid Kuchma (Ukrainë) dhe Heidi Tagliavini (OSBE) pas takimit të sotëm në Minsk
Leonid Kuchma (Ukrainë) dhe Heidi Tagliavini (OSBE) pas takimit të sotëm në Minsk

Përfaqësuesit e qeverisë së Ukrainës dhe ata të kryengritësve janë takuar sot në Minsk të Bjellorusisë, për të parën herë prej se të dy palët e kishin arritur marrëveshjen për armëpushim në muajin shkurt.

Në këtë takim me dyer të mbyllura, kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e Rusisë dhe të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), dhe është disktuar për mënyrat për fuqizimin e armëpushimit të dobësuar në pjesën lindore të Ukrainës.

Kievi dhe kryengritësit prorusë e akuzojnë njëri-tjetrin për vazhdim të shkeljes së armëpushimit.

Ish-presidenti i Ukrainës, Leonid Kuchma, që e udhëhoqi delegacionin e Kievit, tha pas takimit se ky ishte “hap serioz kah zgjidhja politike” e konfliktit, por ka shprehur nevojën për sigurim të ndaljes së të shtënave në mënyrë të plotë.

Kuchma u tha gazetarëve se përfaqësuesit e separatistëve ishin “konstruktivë”.

Në këtë takim janë formuar grupet e punës dhe pritet që ta fillojnë aktivitetin për gjetjen e hapave të ardhshëm që parashihen në planin për armëpushim.

Përfaqësuesi i OSBE-së, Heidi Tagliavini, tha se grupet e para do ta fillojnë punën më 9 maj.

Këto bisedime u zhvilluan derisa Ukraina ka njoftuar se pesë ushtarë të saj janë vrarë në pjesën lindore të këtij vendi, gjatë 24 orëve të fundit.

XS
SM
MD
LG