Ndërlidhjet

logo-print

Britania voton në zgjedhjet e përgjithshme

  • RFE /RL

Një qendër votimi në Britani, 7 maj 2015.

Një qendër votimi në Britani, 7 maj 2015.

Miliona njerëz votojnë sot në zgjedhjet e përgjithshme të Mbretërisë së Bashkuar. Kutitë e votimit në rreth 50,000 qendra janë hapur qysh në orën 7:00, sipas kohës lolale.

Liderët britanikë kanë zhvilluar të mërkurën ditën e fundit të fushatës.

Kryeministri David Cameron ka thënë se vendi është më i fuqishëm se pesë vjet më parë dhe ka shprehur bindjen se Konservatorët e tij do t’i fitojnë zgjedhjet e sotme.

“Këto janë zgjedhjet më të mëdha dhe më të rëndësishme në një brez. Kur të qëndroni para kutisë së votimit me laps në dorë, dua që ta dini se si vota juaj mund të bëjë ndryshim të vërtetë. Ju mund të më zgjedhni mua, që të vazhdoj të udhëheq vendin dhe ta çoj përpara, ose Ed Milibandin që t’ju kthejë prapa dhe të humbasë punën e pesë vjetëve të fundit”, ka thënë Cameron në mesazhin e tij drejtuar votuesve.

Rivale kryesore e Konservatorëve të Cameronit është Partia Laburiste.

Udhëheqësi i saj, Ed Miliband, ka thënë se është optimist për perspektivat e Laburistëve dhe se beson që publiku do të bëjë gjykimin e duhur.

“Përdorni votën tuaj. Përdorni votën për të votuar Laburistët dhe së bashku të ndërtojmë një vend që funksionin për njerëzit punëtorë”, ka thënë Miliband.

Partia e Cameronit ka udhëhequr Britaninë qysh në vitin 2010, në koalicion me Liberal-Demokratët. Udhëheqësi i këtyre të fundit, Nick Clegg, ka premtuar se do të ofrojë stabilitet dhe dinjitet.

Sondazhet sugjerojnë se asnjëra parti nuk do të fitojë ulëse të mjaftueshme për një shumicë absoulute.

Sondazhet e kompanisë ComRes kanë paraparë për Konservatorët e qendrës së djathtë 35 për qind të votave, ndëra për Laburistët e qendrës së majtë 32 për qind.

Partisë fituese i duhen 326 vende të Parlamentit prej 650 ulësesh.

Votimet përmes postës në Britani janë kryer. Në zgjedhjet e vitit 2010, kur pjesëmarrja ka qenë 65 për qind, votimet postare kanë përbërë 15 për qind të votave.

Për herë të parë, njerëzit kanë mundur të regjistrohen për votim edhe përmes internetit.

Shumica e vendvotimeve janë në shkolla, qendra komuniteti dhe salla të famullisë.

Rezultatet paraprake pritet të shpallen rreth mesnatës, ndërsa ato përfundimtare të premten pasdite.

Qendrat e votimit mbyllen në orën 22:00, sipas kohës lokale. (v.tela)

XS
SM
MD
LG