Ndërlidhjet

Kriza politike në Maqedoni, ka kaluar në krizë të sigurisë me tendencë të përkeqësimit me pasoja të paparashikueshme për vendin, thonë njohësit e çëshjeve politike dhe të sigurisë, duke komentuar protestat e dhunshme para Qeverisë dhe Kuvendit të Maqedonisë.

Protestat u përshkallëzuan pas konferencës së fundit për media të liderit të opozitës, Zoran Zaev, i cili publikoi audio-incizime të reja nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve, e që kishte të bëj me vrasjen e një të riu në një miting të partisë së kryeministrit, Nikolla Gruevski, por që ishte fshehur nga qeveria për shkak të përfshirjes në këtë krim të pjestarëve të sigurimit të kreut të qeverisë maqedonase.

“Në Maqedoni po ndodhë diçka shumë serioze në planin e sigurisë. Protestat e ditëve të fundit dhe ato që paralajmërohen në të ardhmen, janë dëshmi se vendin e pret një krizë serioze në planin e sigurisë nëse nuk ndërmerren masa urgjente për kapërcimin e mosmarrëveshjeve".

"Se a do të ketë zgjidhje politike të krizës, është shumë vështirë të pritet duke marrë parasysh faktin se qëndrimet mes palëve janë aq të kundërta, sa që vështirë është të pritet ndonjë epilog. Pra, vendi ndodhet në krizë jo vetëm politike, por edhe institucionale dhe të sigurisë“, thotë Bllagoja Markovski, ekspert i çështjeve të sigurisë dhe epror i lartë i Armatës së Maqedonisë, në konfliktin e vitit 2001.

Naser Zyberi, njohës i çështjeve politike thotë se Maqedonia thashmë nga kriza politike ka hyrë në krizë të sigurisë.

Protestat, sipas tij, nuk do të ndalen nëse merren parasysh paralajmërimet e opozitës së në ditët në vijim do të publikojnë dëshmi edhe për rastet më sensitive, siç është rasti “Monstra“, ai i vdekjes misterioze të gazetarit, Nikolla Mlladenov, për çështjen e emrit, e të tjera, të cilat sipas Lidhjes Social-Demokrate, “nxjerrin në dritë fakte të tmerrshme për përfshrjen e zyrtatëve në veprime kriminale dhe inskenime të rasteve për qëllime politike“.

“Atmosfera skajshmërisht është e tensionuar, ajo tanimë ka eskaluar në protesta, të cilat shpesh herë janë edhe të dhunshme nga ana e policisë e cila me çdo kusht tenton ngulfatjen e tyre, apo të protesutesve që dëshirojnë të shprehin revoltën e tyre".

"Intensiteti i protestave mendoj se do të vjen duke u rritur e jo duke u zvogëluar pasi opozita paraljmëron se do të publikojë përgjimet më sensitive, siç është rasti i gazetarit Mlladenov, rasti i Smillkovskit por ndoshta edhe ndonjë rast tjetër“, thotë Zyberi.

Bllagoja Markovski, ekspert i çështjeve të sigurisë, thotë se zgjidhja e krizës mund të shihet në dorëheqjen e qeverisë dhe formimin e një qeverie kalimatare, e cila do të përgadiste terrenin për zgjedhje të lira dhe demokratike.

“Zgjidhjen e vetme të krizës e shoh në gjetjen e mundësinë për dorëheqjen e qeverisë aktuale dhe formimin e një qeverie teknike e cila do të organonte zgjedhje të lira dhe demokratike, alternativë tjetër nuk ka“, thotë Markovski.

Edhe Naser Zyberi mendon njejtë, por ai thotë se kjo nuk do të mund të arrihet pa një presion shumë të fuqishëm nga bashkësia ndërkombëtare.

“Kjo garniturë politike nuk do të dorëzohet vetvetiu, pra nuk do të bindet me faktin se duhet të jep llogari për gjithë këto ngjarje. Në një situatë të tillë mendoj se faktori ndërkombëtar do të bëj presione të fuqishme që të ndërpriten të gjitha manifestimet e pakënaqësisë dhe të arrihet një marrëveshje politike për formimin e një qeverie kalimtare, apo të tranzicionit“,thotë Zyberi.

Dorëheqjen e qeverisë e kërkon edhe opozita dhe protestuesit, por nga qeveria kanë hedhur poshtë kërkesat e tilla duke drejtuar akuzat ndaj opozitës për skenar për destabilizimin e vendit dhe se përgjimet janë të montuar me ndihmën e shërbimeve të huaja sekrete.

Ndryshe, në protestat e dy ditëve të fundit para Qeverisë dhe Kuvendit janë plagosur dhjetëra qytetar dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë.

XS
SM
MD
LG