Ndërlidhjet

SITE: Nga sulmi ajror amerikan është vrarë një lider i al-Kaidës


Nasser bin Ali al-Ansi është vrarë nga një sulm ajror amerikan në Jemen

Nasser bin Ali al-Ansi është vrarë nga një sulm ajror amerikan në Jemen

Grupi monitorues, SITE, thotë se nga një sulm ajror amerikan në Jemen, muajin e kaluar, është vrarë zyrtari i lartë i al-Kaidës, Nasser bin Ali al-Ansi, i cili ishte paraqitur në një video duke e marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës kundër revistës franceze, Charlie Hebdo, në muajin janar.

SITE Intelligence Group thotë se al-Ansi, që ishte vrarë në muajin prill së bashku me djalin e tij të madh dhe luftëtarët e tjerë në qytetin-port, Mukalla, po ashtu, ishte paraqitur në videot e al-Kaidës, me ç’rast e kishte pretenduar zënien dhe vrasjen e shtetasit të rrëmbyer amerikan, Luke Somers.

Shpallja për vrasjen e tij ishte bërë dje në një video të postuar në rrjetin Twitter nga al-Kaida në Gadishullin Arab, të cilën Uashingtoni e konsideron si degën ndërkombëtare më vdekjeprurëse të rrjetit terrorist.

Duket se sulmi ajror kishte ndodhur gjatë natës ndërmjet 21 dhe 22 prillit, kur dëshmitarët në Mukalla thanë se një sulm i qartë me aeroplan amerikan pa ekuipazh e kishte qëlluar një veturë të parkuar afër pallatit presidencial në qytet, duke i vrarë gjashtë pjesëtarë të dyshuar të al-Kaidës.

Grupi SITE e ka përshkruar al-Ansin si “zyrtar të lartë dhe strateg ushtarak” të al-Kaidës në Gadishullin Arab.

XS
SM
MD
LG