Ndërlidhjet

Shumica e afaristëve në Kosovë, vazhdojnë që veprimtarinë e tyre zhvillimore ta orientojnë në sektorin e tregtisë. Ky biznes në Kosovë thuhet se favorizohet më tepër se sa industria prodhuese, por që ekspertët shprehin shqetësimin se vendi do vazhdoj të varet nga importi i produkteve nga vende të ndryshme të rajonit dhe të Bashkimit Evropian.

Se aktiviteti ekonomik më “atraktiv” mbetet tregtia, tregojnë edhe statistikat për tre mujorin e parë të këtij viti të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Nga 2582 biznese të reja që janë hapur në këtë periudhë, 784 ndërmarrje të reja, ose 30.4 për qind i takojnë sektorit të tregtisë.

E gjithë kjo formë klasike e të bërit biznes në Kosovë, paraqitet në mungesë të një plani nacional zhvillimor, thotë për Radion Evropa e Lirë, Safet Gërxhaliu kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës .

Mungesa e këtij plani sipas tij, orienton komunitetin e biznesit në shërbime dhe jo në forma tjera të bashkëpunimit.

Ai ndërkaq konsideron se derisa shuma më e madhe e buxhetit të Kosovës, sipas projeksioneve buxhetore, grumbullohet në dogana, tregtia do të vazhdon të mbetet biznesi më favorizues.

"Në këtë drejtim nuk duhet të na habis fakti se Kosova edhe më tutje eksporton para të gatshme. Prandaj, është koha kur duhet të ndryshohet një qasje e tillë, në rend të parë duhet të kemi një plan nacional zhvillimor, në rend të dytë është koha kur duhet të përmirësohet indikatori kyç ekonomik çfarë është bilanci i pagesave dhe një bilanci tillë nuk mund të përmirësohet në qoftë se nuk do të jemi të orientuar në faktorizimin dhe funksionimin e sektorit privat, në veçanti sektorit prodhues".

Edhe profesori në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Ymer Havolli, shprehet se struktura e zhvillimit të sektorit privat në Kosovë, siç është tregtia, është jofavorizuese për zhvillimin e përgjithshëm të vendit.

"Është e disfavorshme për ekonominë e Kosovës që për disa vite, përqindja më e madhe e pjesëmarrjes të mbetet tregtia. Bizneset në kushtet e operimit për një kohë nuk kanë dashur të marrin rrezikun mbi vete, kështu që më lehtë u janë qasur tregtisë, më lehtë e kanë qarkulluar kapitalin, mirëpo fitimet dhe kthimet nga ky biznes kanë qenë të vogla”, tha Havolli për Radion Evropa e Lirë.

Kurse, përfaqësuesi i komunitetit të biznesit Safet Gërxhaliu shprehet se është momenti i fundit që të përkrahet sektori privat, pasi vetëm ky sektor ka potencial për të krijuar vende të reja të punës.

“Atëherë vërtet duhet që në këtë drejtim të bëhet më tepër për mbështetjen e këtij sektori në veçanti ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Nëse dëshirohet të dilet nga një formë e tillë klasike e të bërit biznes, duhet të mendohen alternativat e gjetjes se formave të avancuara të bashkëpunimit, qoftë në nivel bilateral, rajonal apo evropian dhe më gjerë", thotë Gërxhliu

Ndryshe, përveç hapjes së një numri të madh të ndërmarrjeve të reja në sektorin e tregtisë, edhe numri i atyre që shuhen nuk është i vogël.

Vetëm në tre mujorin e parë të këtij viti, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 182 është numri i ndërmarrjeve të shuara që si aktivitet ekonomik kanë pasur tregtinë me pakicë dhe shumicë.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG