Ndërlidhjet

Fondi do të lehtësojë qasjen në financa për bizneset


Ilustrim
Ilustrim

Fondi për Investim dhe Punësim, pritet të përmirësojë qasjen në financa me kushte të volitshme për sipërmarrësit e rinj, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe korporatat.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, gjatë një konference ditë më parë, ka paralajmëruar se ky fond, përveç tjerash, do t’iu ofrojë bizneseve fillestare qasje në financa, kredi më të lira për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe korporatat që synojnë t’i zgjerojnë bizneset e tyre.

“Janë fonde që domosdoshmërish do të themelohen. Kemi përkrahjen edhe të USAID-it dhe të partnerëve të jashtëm, po ashtu do të shfrytëzohen edhe burime të mjeteve të buxhetit dhe mjetet të Fondit të Privatizimit për të mbështetur këtë fond”, ka theksuar kryeministri Mustafa.

Bizneset në Kosovë, të cilat vazhdimisht janë ankuar për norma të larta të interesit dhe qasje të kufizuar në financa, thonë se kjo do të ndihmojë shumë zhvillimin e tyre dhe, njëkohësisht, zhvillimin ekonomik të vendit.

Pronari i kompanisë “Frutex” nga Suhareka, Shaqir Palushi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se presin që Qeveria e Kosovës sa më shpejt ta krijojë këtë fond.

“Për ne, si biznese me rentabilitet të mirë, nuk është problem qasja në banka komerciale, por shqetësim për ne paraqesin kamatat e larta. Krijimi i këtij fondi do ta na lehtësonte pasi që kamatat do të ishin më të ulëta dhe kjo do të ishte një shtytje për një zhvillim më të madh ekonomik të vendit”, thotë Palushi.

Normat efektive të interesit për kredi, sipas raporteve të Bankës Qendrore të Kosovës, fillojnë nga 10.8 për qind, por kjo varet nga banka dhe lloji i kredisë.

Shuma e përgjithshme e kredive që qytetarët kanë në bankat komerciale ka arritur në 1.85 miliard euro, kreditë për ndërmarrje vazhdojnë të kenë përqindjen më të lartë, pasuar nga kreditë për ekonomitë familjare.

Ekspertët e fushës së ekonomisë vazhdimisht iu kanë bërë thirrje autoriteteve kompetente që të shqyrtojnë mundësitë që bizneseve t’iu krijojnë qasje më të mirë në financa, derisa nga bankat komerciale kishin kërkuar uljen e interesit në kredi.

Milazim Abazi, ekspert për çështje financiare, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se normat e larta të interesit e kanë dëmtuar biznesin dhe në të njëjtën kohë kanë pamundësuar zhvillim ekonomik të vendit.

Sipas tij, është koha kur duhet rregulluar kjo çështje.

“Nëse bankat do të reflektonin për nevojat e biznesit, mendoj se do të ishte mirë edhe për bankat, por edhe për bizneset. Të dyja këto janë dy binarë që duhet të ecin paralel, bankat do të kishin rritje të kredive dhe rritje të të hyrave po ashtu edhe biznesi edhe ekonomia dhe buxheti i Kosovës do të shënonte rritje”, sqaron Abazi.

Përveç kredive që qytetarët kanë në bankat komerciale, një pjesë e madhe e klientëve borxhe kanë edhe në institucionet mikrofinanciare që operojnë vend.

XS
SM
MD
LG