Ndërlidhjet

logo-print

Përplasje të armatosura në Kumanovë


Ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska, në një konferencë për shtyp ka konfirmuar vrasjen e pesë policëve maqedonas gjatë aksionit policor që është zhvilluar të shtunën në Kumanovë.

Policia e Maqedonisë ka thënë se ka ndërmarrë aksionin në "Lagjen e Trimave" në kërkim të, siç ka thënë, personave të armatosur.

​Ministrja Jankullovska ka thënë se bëhet fjalë për më shumë se 30 policë të plagosur.

Sipas saj, aksioni i policisë do të vazhdojë derisa Ministria e Punëve të Brendshme të sigurohet se në këtë rajon nuk ka më "grupe të armatosura".

Jankullovska ka thënë se nuk ka informacione për civilë të plagosur, duke shtuar se dikasteri që ajo drejton nuk ka njohuri të sakta për numrin e viktimave nga ana e grupit të armatosur.

Të shtënat dhe detonime të fuqishme kanë nisur rreth orës pesë të mëngjesit të së shtunës në Kumanovë, ndërkohë që disa banorë janë evakuar nga zona.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, në konferencën e parë për shtyp, ka thënë se "një grup i madh terroristësh" ka pasur në plan "të sulmojë institucionet e shtetit".

“Sipas informacioneve operative, të cilat i ka pasur MPB-ja, një grup i armatosur ka pasur për qëllim që të organizojë sulme të armatosura ndaj institucioneve të ndryshme shtetërore. Informacionet, të cilat i kemi siguruar më parë, tregojnë se grupi ka hyrë në Maqedoni nga një shtet fqinj dhe nëpërmjet mbështetësve të tij është strehuar dhe është përgatitur që të veprojë për sulmet e tij terroriste”.

“Policia ka arritur të gjejë lokacionin e tyre, ata fshihen në disa shtëpi te ‘Lagjja e Trimave’. Sipas të dhënave, bëhet fjalë për një grup që është i armatosur mirë dhe i trajnuar për luftë në kushte të tilla”, ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Ivo Kotevski, duke dhënë dhe një kronologji të zhvillimeve të mëngjesit të së shtunës në Kumanovë.

"Në aksionin e sotëm, nga ora 5 e mëngjesit, policia ka filluar operacionin, ndërsa ka hasur në rezistencë të ashpër, ku është shtënë me armë kallashnikov, armë më të rënda, snajperë dhe bomba. Bëhet fjalë për një vend me rrugë të ngushta dhe policia duhet të bëjë kontrolle nëpër të gjitha shtëpitë, me qëllim që ta shkatërrojë deri në fund këtë grup”, ka deklaruar Kotevski.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe të përmbajtur.

Por, banorët lokalë thonë se gjendja në “Lagjen e Trimave” ku është zhvilluar aksioni, është shumë e rëndë.

“Kam një pyetje për Ali Ahmetin (kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim - parti në koalicionin qeverisës) dhe (kryeministrin) Nikolla Gruevskin: për çka po ndodh kjo situatë, pse trishtohen fëmijët dhe nënat shqiptare?”, ka deklaruar një grua, e cila kishte arritur të dalë nga kjo lagje me të birin e saj të mitur.

Edhe një banor tjetër maqedonas thotë se aksioni policor është përgatitur qysh gjatë mbrëmjes së kaluar:

“Qysh gjatë natës së kaluar ishin të pranishme forca të mëdha policore, të cilat tregonin se diçka do të ndodhë”.

Ndërkaq, deputeti i Zonës, Rexhail Ismaili, ka bërë thirrje për gjakftohtësi dhe që të mos krijohet panik.

“Apelojmë te popullata shqiptare e Kumanovës dhe Likovës që të jetë e vëmendshme gjatë kësaj situate të rëndë, e cila po mbretëron për momentin. Njëherësh luten të mos i lëshojnë shtëpitë e tyre dhe të mos bëhen pre e provokimeve dhe pazareve të ndryshme”, ka thënë Ismaili.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shkup ka lëshuar një deklaratë për media, duke shprehur keqardhje për, siç ka thënë, humbjen e jetëve nga aksionet e armatosura në Kumanovë.

“Na vjen keq për humbjen e jetëve të njerëzve dhe shprehim ngushëllimet më të thella për familjet e të vrarëve dhe të plagosurve. Ne po monitorojmë situatën dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet dhe liderët politikë. U bëjmë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe të lejojnë verifikimin e të dhënave”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane në Shkup.

Në lidhje me përleshjet e së shtunës dhe incidentin në Kumanovë, ka reaguar edhe zyra e Bashkimit Evropian në Shkup.

“Jemi në kontakt me autoritetet dhe me partitë politike. Fuqishëm bëjmë thirrje te të gjithë qytetarët dhe faktorët politikë që të qëndrojnë të qetë dhe të presin që qeveritarët relevantë të tregojnë faktet dhe të sqarojnë atë që po ndodh. Shpresojmë që do të shmanget përshkallëzimi i situatës dhe tensioneve”, theksohet në reagimin e Delegacionit të BE-së.

Nga ana tjetër, partia e Bashkimit Demokratik për Integrim, e cila është pjesë e Qeverisë, nëpërmjet një komunikate me shkrim, ka njoftuar se me shqetësim të thellë po ndjek zhvillimet e së shtunës në Kumanovë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve për përmbajtje, ruajtje të gjakftohtësisë dhe që të mos bien pre e provokimeve.

“Bashkimi Demokratik për Integrim gjykon që zhvillimet e sotme në Kumanovë, por edhe ato të mëhershmet në Goshincë, si dhe shpërthimi para selisë së BDI-së dhe të tjera, janë veprime në kundërshtim të plotë me përcaktimet strategjike të kombit shqiptar, si në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë, Shqipëri dhe Luginë të Preshevës”, theksohet në komunikatën e BDI-së, ku shprehet bindja se “asnjë destabilizim i vendit nuk është në interes të kombit shqiptar në rajon”.

Ndërkohë, lideri i partisë maqedonase në opozitë, LSDM, Zoran Zaev, i ka bërë thirrje kryeministrit Nikolla Gruevski që menjëherë të dalë para qytetarëve dhe të japë sqarime, kush, pse dhe me çfarë qëllimi po e destabilizon Maqedoninë.

“Pse grupe kriminale nga territoret e vendeve tjera fqinje hyjnë në Maqedoni? Kush i organizon dhe për çfarë qëllimi? Të njëjtën duhet ta bëjë edhe Ali Ahmeti. Viktima janë qytetarët - edhe maqedonasit, edhe shqiptarët, edhe policët, edhe popullata civile”, ka theksuar Zaev.

Edhe Partia Demokratike Shqiptare, nëpërmjet një komunikate, ka ftuar qytetarët që ta ruajnë qetësinë dhe në asnjë mënyrë të mos bien pre e provokimeve:

Partia Demokratike Shqiptare, konform pozicionit momental politik që ka si opozitë, kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme, si dhe institucionet e tjera qeveritare të involvuara në këtë situatë, që me veprimet e tyre në asnjë mënyrë të mos cenojnë jetën dhe pronën e qytetarëve”.

Në rajonin malor të Kumanovës, kohë më parë, kishte ndodhur edhe një incident tjetër, pasi persona të armatosur, të prezantuar si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), sipas policisë maqedonase, kanë sulmuar një stacion policie në fshatin Goshincë, në kufirin Maqedoni-Kosovë.

Rasti është vlerësuar si akt terrorizmi nga Qeveria e Maqedonisë, por opozita ka thënë se bëhet fjalë për skenarë të përgatitur për të shpërqendruar vëmendjen pas situatës së krijuar nga audio-incizimet e publikuara nga lideri i opozitës, Zoran Zaev, për të cilat ai thotë se janë bisedime të përgjuara paligjshëm nga ana e Qeverisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG