Ndërlidhjet

logo-print

Rusia shënon Ditën e Fitores me paradë masive

  • RFE /RL

Një paradë masive ushtarake është mbajtur në Moskë, për të shënuar 70-vjetorin e fitores së forcave aleate ndaj Gjermanisë naziste.

Rreth 16,000 trupa kanë parakaluar në Sheshin e Kuq, ku të pranishëm kanë qenë edhe presidenti rus, Vladimir Putin, ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ashtu si edhe zyrtarë të tjerë rusë dhe të huaj.

Duke iu adresuar tubimit, Putin ka falënderuar aleatët për kontributet e tyre në fitore, duke veçuar Francën, Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara.

“Sot, në shënimin e këtij përvjetori të shenjtë, kujtojmë edhe një herë madhështinë e fitores mbi nazizmin. Jemi krenarë që baballarët dhe gjyshërit tanë kanë arritur të mundin dhe të shkatërrojnë këtë forcë të errët”, ka thënë Putin, duke shtuar se bashkëpunimi global është vënë në rrezik viteve të fundit.

Në paradë janë shfaqur sot pajisje të reja të teknologjisë ushtarake, përfshirë tankun luftarak T-14.

Mbi 20 krerë shtetesh kanë ndjekur paradën, por shumica e liderëve botërorë e kanë bojkotuar atë, për shkak të rolit të Rusisë në krizën në Ukrainë.

Në mesin e pjesëmarrësve ka qenë presidenti i Kinës, Xi Jinping.

Gjatë fjalimit të tij, Putin ka veçuar edhe rolin e Kinës në luftë, duke thënë se, sikurse Bashkimi Sovjetik, Kina ka humbur miliona njerëz.

Një kolonë e trupave kineze ka marrë po ashtu pjesë në paradën e sotme, çfarë është parë si shenjë e marrëdhënieve më të ngushta midis Rusisë dhe Kinës.

Këtë ngjarje në Moskë e kanë ndjekur edhe udhëheqësi i Kubës, Raul Castro, si dhe presidenti i Zimbabvesë, Robert Mugabe.

Analistët thonë se parada masive ushtarake ka qenë një shfaqje e fuqisë nga ana e Putinit, i cili i ka quajtur absurde sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë, të cilat janë ndërmarrë pasi shteti rus ka aneksuar Krimenë nga Ukraina, vitin e kaluar.

Rusia mohon akuzat e Perëndimit se është duke armatosur separatistët në rajonet Luhansk dhe Donjeck të Ukrainës. Mbi 6,100 civilë janë vrarë në konfliktin atje prejse ka nisur në prill të vitit të kaluar.

Bashkimi Sovjetik ka humbur rreth 26 milionë njerëz në Luftën e Dytë Botërore, më shumë se çdo vend tjetër.

Mbi 70 për qind e rusëve thonë se një anëtar i afërm i familjes u është vrarë ose zhdukur gjatë luftës.(v.tela)

XS
SM
MD
LG