Ndërlidhjet

logo-print

Ballkani Perëndimor, sipas zyrtarëve të lartë amerikanë, është një burim thelbësor i luftëtarëve të huaj që luftojnë në Siri dhe Irak, veçanërisht kur merret parasysh proporcioni për kokë banori në raport me popullatën.

“Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, janë posaçërisht vende të shquara burimi”, ka thënë së fundmi zëvendësndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee.

Përfaqësues nga Qeveria e Kosovës, por edhe ata nga shoqëria civile, kanë deklaruar së fundmi se mbi 200 shqiptarë nga Kosova u janë bashkuar grupeve të njohura ndërkombëtarisht si terroriste në Siri dhe Irak.

Lidhur me shkuarjen e qytetarëve të Kosovës në vatra lufte, të rinjtë e anketuar nga Radio Evropa e Lirë, për rubrikën “VOX” thonë se janë disa faktorë, të cilët po ndikojnë që disa të rinj të marrin vendime të tilla.

Behar Zuka, një djalë i ri i cili thotë se studion për ekonomi, pranon se në një kohë mund të ketë qenë i manipuluar nga disa hoxhallarë, derisa ka qenë pjesëmarrës në disa ligjËrata të hoxhallarëve në xhami.

Ai thotë se në moshën 16-vjeçare ka qenë predikues më i madh i fesë.

Ligjëruesit në xhamitë, të cilat ai i ka vizituar, thotë se kanë mbajtur fjalime kryesisht për të bërë një përçarje ndërmjet feve, në vend ose jashtë vendit.

“Zakonisht, propaganda ka qenë për shembull Nëna Terezë, ka për të shkuar në ferr ose Skënderbeu nuk është hero kombëtar, është hero i krishterëve e i katolikëve. Ka pasur propagandë edhe kundër Amerikës”, tregon Behari.

Sipas tij, e gjithë kjo ishte në frymë të “një përgatitjeje për instalimin e një sistemi gatishmërie mendore për të qenë luftëtar në emër të besimit fetar”. Ai thotë se ishin prindërit ata të cilët e kanë ndihmuar të marrë një rrugë tjetër, atë të respektit për të gjitha fetë.

Ekrem Mustafa, student në Universitetin e Prishtinës, konsideron se të rinjtë që u janë bashkuar grupeve terroriste në Siri e Irak, janë manipuluar dhe nuk janë të informuar për atë çka ndodh atje.

“Ata në të vërtetë nuk e dinë se ku po shkojnë. Mendojnë se atje do të shkojnë për të luftuar në tokën e shenjtë, do të luftojnë në rrugën e Zotit, por qëllimi i organizatave terroriste e ekstremiste që veprojnë atje është krejt tjetër. Me një fjalë mendoj se ata të rinj po manipulohen dhe nuk kanë informacione çka po ndodh atje dhe nuk dinë çka thotë feja islame, që flet për paqe e tolerancë”, thotë Ekremi.

Emrie Kastrati nga komuna e Pjesës, e moshës 30-vjeçare dhe me mbulesë në kokë, thotë se ato vende ku aktualisht po ndodh lufta, nuk kanë nevojë për kosovarët.

“Ka kush të luftojë atje dhe nuk kanë nevojë për ne. Jam e informuar për këtë çështje vetëm nga mediat, nuk di shumë se çka është duke ndodhur. Qeveria duhet të shikojë se kush është duke e lënë vendin dhe duhet t’u sigurojë të rinjve vende punë. Me dëshirë askush nuk shkon në luftë dhe askush nuk e lë vendin e vet”, shprehet Emria.

Blenada Lekaj, studente e Letërsisë Shqipe, thotë se për krejt çka është duke ndodhur në Lindjen e Mesme, informohet nga mjetet e informimit:

“Jam e informuar nga lajmet. Nuk më pëlqejnë fare këto iniciativat që i marrin të rinjtë në Kosovë dhe të nisen drejt atyre vendeve të luftës. Nëse dëshiron dikush të bëjë diçka për Zotin, mund ta bësh në mënyra të ndryshme, jo duke vrarë njerëz ose duke bërë luftë”.

Edhe Gentiana Musa, studente në Fakultetin e Sociologjisë, ka mendim të ngjashëm.

“Mendoj se ka grupe, të cilat manipulojnë. Askush nuk mund të shkojë në një vend për të luftuar derisa nuk e ka një lidhje. Mendoj se lidhje pas lidhjeje, numri i kosovarëve që kanë shkuar në Siri është rritur”, pohon Gentiana.

Strukturat e dobëta shtetërore në Kosovë, politika e paqëndrueshme, korrupsioni, varfëria, sistemi i dobët ekonomik, janë ndër shkaktarët kryesorë të pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në grupe ekstremiste në Siri dhe Irak. Kështu kanë konstatuar zyrtar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në Prishtinë në një raport të publikuar lidhur me përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat e Sirisë dhe Irakut.

Më 12 mars të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin që sanksionon përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftëra të huaja.

Autoritetet e sigurisë dhe të ndjekjes penale në Kosovë, tashmë kanë konfirmuar se po zhvillojnë hetime nën dyshimet për përfshirje në rastet që ndërlidhen me terrorizmin ndaj 135 personave.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG