Ndërlidhjet

logo-print

Shqipëria: T’i jepet fund territ të informatave mbi ngjarjen në Kumanovë


Kumanovë

Kumanovë

Qeveria e Shqipërisë ka publikuar një deklaratë në lidhje me ngjarjet e Maqedonisë.

Ajo i bën thirrje qeverisë dhe autoriteteve ligj zbatuese në Maqedoni që të mundësojnë dhe kryejnë një hetim të thellë, të shpejtë, të plotë e transparent, në funksion të së vërtetës dhe vet stabilitetit të Maqedonisë e rajonit.

“Në këto kushte është më shumë rëndësi mbrojtja e jetës, pronës dhe lirive e të drejtave të çdo qytetari të Maqedonisë, pavarësisht, përkatësisë së tij etnike. Më shumë së asnjëherë, kjo vlen aktualisht për Kumanovën e banuar kryesisht nga shqiptare”, thuhet në deklaratën e ekzekutivit të Tiranës.

Pjesëmarrës në një aktivitet kulturor, kryeministri Edi Rama është prononcuar për ngjarjet e Kumanovës.

“Një minutë heshtje për jetët e të pafajshëmve në ngjarjen tragjike të Kumanovës“, tha Rama në hapjen e fjalës së tij në Festivalin Folkorik të Gjirokastrës.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë, përmes kësaj deklarate, tha se ka ndjekur me vëmendje të veçantë dhe shqetësim të madh zhvillimet tragjike të orëve të fundit në Kumanovë të Maqedonisë.

Duke shprehur keqardhjen më të thellë për humbjen e jetëve njerëzore, Qeveria e Shqipërisë thotë se mbron bindjen se në asnjë rrethanë nuk mund të lejohet që kriza në Maqedoni të përshkallëzohet.

"Zhvillimet dramatike të ditëve të fundit në Kumanovë kanë cenuar normalitetin dhe marrëdhëniet ndëretnike, të cilat mbeten ende të brishta për shkak të moszbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, por pa dyshim janë jetike për ekzistencën e shtetit maqedonas", thuhet në deklaratë.

Reja e paqartësisë mbi të gjitha orët e rënda të Kumanovës, vazhdon kumtesa, të cilat u përjetuan me ankth nga shqiptarët kudo ku jetojnë, duhet t'ia lë vendin sa më parë transparencës së plotë për këtë ngjarje.

"Përveçse policëve të vrarë dhe të plagosur, ende nuk është thënë asgjë për jetët e qytetarëve të pa mbrojtur të Kumanovës, për arratinë e tyre, për pronën e tyre të bastisur, djegur dhe shkatërruar. Padyshim kjo paqartësi shqetësuese nuk ndihmon në kthimin e plotë të normalitetit. Por po ashtu kjo e bën edhe më imediate nevojën për kthjelltësi, qartësi dhe durim për t’i shkuar të vërtetës deri në fund", thuhet ndër tjera, në deklaratën e qeverisë shqiptare.

XS
SM
MD
LG