Ndërlidhjet

Institucionet dënojnë përfshirjen e shtetasve të Kosovës në incidentet në Maqedoni


Kumanovë...
Kumanovë...

Përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës, kanë shprehur shqetësimet lidhur me zhvillimet e fundit në Maqedoni.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa, përmes një deklarate të përbashkët për media kanë thënë se “dënojnë çfarëdo përfshirje të shtetasve të Republikës së Kosovës në incidente në Republikën e Maqedonisë që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe shteteve fqinje, duke vënë në sprovë paqen dhe sigurinë dhe duke rrezikuar jetën dhe pronën e qytetarëve”.

Presidentja Jahjaga dhe kryeministri Mustafa me anë të komunikatës u bënë thirrje autoriteteve në Maqedoni për hetim transparent dhe kredibil të ngjarjeve të fundit, duke shprehur gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës që të vazhdojnë të ofrojnë ndihmën e tyre të plotë për të zbardhur zhvillimet e fundjavës në qytetin e Kumanovës.

Republika e Kosovës, thuhet në komunikatë, mbetet e përkushtuar për një Maqedoni shumetnike, stabile, të përkushtuar për të drejta të barabarta të të gjitha komuniteteve dhe zbatim të Marrëveshjes së Ohrit.

Kurse, zëvendësministri i Punëve Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, tha për Radion Evropa e Lirë se ende nuk janë të informuar zyrtarisht se sa nga personat e arrestuar janë shqiptar nga Kosova.

“Ne presim verifikimin zyrtar të të gjitha pohimeve. Është e qarë që asnjë kosovar që ja do të mirën vendit, Republikës së Kosovës, integrimeve evropiane të Kosovës, nuk është nuk është i interesuar të marrë pjesë në konflikte të huaja”, tha Selimi.

Bëhet e ditur se mekanizmat e drejtësisë dhe sigurisë së Kosovës, kanë kërkuar nga homologët e tyre në Maqedoni detaje lidhur me incidentet e fundjavës dhe janë në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga ta.

Ndryshe, autoritetet policore të Kosovës, kanë deklaruar se pas incidenteve të fundit në Maqedoni kanë angazhuar zyrtarë policorë të mjaftueshëm me qëllim të një kontrolli më të madh të kufirit dhe parandalimit të çfarëdo lloj krimi.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha për Radion Evropa e Lirë se policia po vazhdon me realizimin e detyrave policore për menaxhimin dhe kontrollin kufitar.

“Mund të them se Policia e Kosovë me kohë ka ndërmarrë masat e saja policore për ngritje të vigjilencës dhe kontrollit kufitar. Këtë e them duke veçuar se këto masa janë ndërmarrë para incidentit të ndodhur në Maqedoni edhe gjatë incidentit, por tani edhe pas incidentit. Policia e Kosovës vazhdon me realizimin e detyrave policore për menaxhimin dhe kontrollin kufitar”, tha Kelani.

Kelani theksoi se as para incidentit, e as më vonë, nuk janë vërejtur lëvizje apo tentime të kujtdo qoftë për të kaluar ilegalisht kufirin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.

“Policia e Kosovës në asnjë rast të vetëm, edhe para incidenteve, gjatë incidenteve, dhe tash pas incidenteve të ndodhura në pjesën e Maqedonisë, nuk ka vërejtur asnjë element të dyshimit të kalimit të ndonjë personi, individi apo grupi të caktuar kriminal si nga Kosova në drejtim të Maqedonisë apo edhe anasjelltas”, ka sqaruar Kelani.

Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, vlerësojnë se ngjarjet e fundit në Kumanovë, janë pasojë e krizës politike në Maqedoni dhe e zhvendosjes së vëmendjes nga protestat kundër qeverisë së këtij vendi.

Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se situata të ngjashme me atë që ndodhi në Kumanovë, tashmë janë parë edhe në të kaluarën në rajonin e Ballkanit, kur sipas tij, qeveritë, të cilat ndjehen të kërcënuara, janë në gjendje të shkaktojnë dhunë masive, duke mos i kursyer as jetët e njerëzve për të qëndruar vetë në pushtet.

“Unë mendoj se të shtënat në Kumanovë dhe viktimat njerëzore atje, praktikisht ia zgjasin ose së paku është bërë tentim t’ia zgjasin jetën një qeverie të degraduar, antidemokratike skajshmërisht, dhe mbi të gjitha, anti-qytetare. Kjo për faktin, sepse në këto të shtëna, fatkeqësisht, kanë rënë qytetarë të të gjitha etnive që jetojnë në shtetin e Maqedonisë”, tha Matoshi.

Ndryshe, lidhur me pohimet e autoriteteve të Maqedonisë se në grupin e armatosur që është konfrontuar me policinë në Kumanovë ka pasur shtetas nga Kosova, Matoshi ka shprehur mendimin se një gjë e tillë është e mundur dhe se mund të ketë pasur njerëz të manipuluar, ose edhe të paguar për një gjë të tillë.

“Ky konflikt, kjo ‘luftë’, ishte pa krye, pa qëllime sublime dhe përfundoi si e tillë. Do të thotë përfundoi, fatkeqësisht, me viktima njerëzore, pa e arritur asnjë qëllim në të mirë të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni”, ka theksuar Matoshi.

Në Kumanovë të shtunën dhe të dielën u zhvilluan përleshje të ashpra ndërmjet një grupi të armatosur dhe forcave të sigurimit të shtetit të Maqedonisë, ku siç thuhet, kanë mbetur të vrarë 22 persona, 8 pjesëtarë të forcave të sigurimit dhe 14 nga grupi i armatosur.

Gjatë përleshjeve janë plagosur 37 policë ndërsa janë dorëzuar rreth 30 persona nga grupi i armatosur.

XS
SM
MD
LG