Ndërlidhjet

Kerry takohet me Putinin dhe Lavrovin


Pamje nga një takim i mëparshëm i sekretarit Kerry (djathtas) me ministrin Lavrov

Pamje nga një takim i mëparshëm i sekretarit Kerry (djathtas) me ministrin Lavrov

Departamenti amerikan i shtetit dhe Ministria e jashtme e Rusisë thonë se sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, do të takohet nesër me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për të diskutuar për kryengritjet aktuale në Ukrainë, Siri dhe Jemen.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Marie Harf, tha se zoti Kerry me Putinin dhe ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, do të taakohet në pushimoren ruse Soçi në Detin e Zi.

Më herët agjencia ruse e lajmeve, RIA-Novosti, ka raportuar se Kremlini shpreson se Kerry do të sjell propozime të reja për zgjidhjen e konfliktit në pjesën lidnore të Ukrainës.

Ukraina vazhdon të jetë e përfshirë në luftime sporadike përkundër armëpushimit të arritur në muajin shkurt, me ndërmjetësimin e Francës dhe Gjermanisë.

Perëndimi dhe Kievi e akuzojnë Rusinë se i mbështet separatistët me armatim dhe trupa, ndërsa Moska i ka hedhur poshtë këto akuza.

Agjencia RIA-Novosti raporton se Moska nuk pret “kthesë” të madhe nga vizita e zotit Kerry, por megjithatë vlerëson se ajo është “shumë e rëndësishme”.

Një burim i paemëruar i tha agjencisë se Lavrov planifikon t’i thotë sekretarit Kerry se mbështetja ushtarake për Ukraninën është e papranueshme.

Rusia i ka kritikuar përpjekjet aktuale të Uashingtonit për t’i dërguar Ukrainës ndihma në formë të trajnimit për trupat e saj.

Departamenti amerikan i shtetit ka njoftuar se pas qëndrimit në Rusi, sekretari Kerry do të udhëtoj në Turqi, për të marrë pjesë në mbledhjen e ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të NATO-s.

XS
SM
MD
LG