Ndërlidhjet

Afro 220 ushtarë rusë të vrarë në Ukrainë

  • RFE /RL

Ilya Yashin duke paraqitur raportin.

Ilya Yashin duke paraqitur raportin.

Afro 220 pjesëtarë të ushtrisë së Rusisë, janë vrarë në luftimet në pjesën lindore të Ukrainës, thuhet në raportin e publikuar, për të cilin kërkimet kishin filluar nga lideri opozitar rus, Boris Nemtsov, që është vrarë në muajin shkurt të këtij viti.

Numri i ushtarëve të vrarë është njëra nga gjetjet më të rëndësishme të raportit të shumëpritur për përfshirjen e Rusisë në konfliktin në Ukrainë, i cili është kompletuar nga aleatët e Nemtsovit.

Në raportin me titullin - Putin. Luftë – vlerësohet se së paku 150 pjesëtarë të ushtrisë ruse janë vrarë gjatë ofensivës së Ukrainës në gusht të vitit 2014. Të tjerë, 70 vetë, ishin vrarë gjatë luftimeve afër qytetit Debaltseve në muajin janar dhe shkurt.

Familjarët morën para nga qeveria për të mos folur

Të afërmit e të vrarëve në vitin 2014 i kanë marrë 2 milionë rubla, afro 39 mijë dollarë, nga qeveria, në këmbim për nënshkrimin e premtimit, që këtë çështje të mos e diskutojnë publikisht, pretendohet në raport, dhe shtohet se familjeve të ushtarëve të vrarë këtë vit u është ofruar kompensim i ngjashëm por nuk e kanë marrrë atë.

Sipas raportit prej 64 faqesh, pjesëtarët e shërbimit rus detyrohen që zyrtarisht të paraqesin dorëheqje nga ushtria, para se të vendosen në Ukrainë, në përpjekje nga qeveria ruse për ta maskuar involvimin në konflikt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ushtria ruse, vazhdimisht i kanë refuzuar pohimet se forcat e Rusisë janë të përfshira në luftimet në Ukrainë, duke thënë se secili rus që merr pjesë atje, e bënë këtë me vullnetin e tij.

Yashin: Putini po e gënjen popullin

Duke folur në konferencën për shtyp në Moskë, me rastin e publimit të raportit, Ilya Yashin, aktivist opozitar, tha:

“Qëllimi më i rëndësishëm është ta themi të vërtetën. Qëllimi i këtij raporti është që popullit t’i thuhet e vërteta. Udhëheqja e vendit tonë e bartë përgjegjësinë për krim. E bartë përgjegjësinë për ndërmarrje që i ka viktimizuar shtetasit e Ukrainës dhe shtetasit e Rusisë”, tha Ilya Yashin.

Ai ka theksuar se synohet që të hapet debat në shoqëri.

“Audienca jonë është i gjithë populli rus, ata që i besojnë Putinit, ata që nuk e mbështesin atë, mbështetësit e politikës së tij. Ne dëshirojmë të hapim diskutim në shoqëri. Ne dëshirojmë t’i themi popullit të vërtetën për atë që po ndodhë në Rusi, për atë që po ndodhë në pjesën lindore të Ukrainës. Ne dëshirojmë për ta zënë Putinin në gënjeshtrat e tij. Ne dëshirojmë t’i themi popullit se presidenti i Rusisë, njeriu që e ka nën kontroll armatimin atomik dhe e udhëheq një vend shumë të madh, po e gënjen popullin rus dhe gjithë botën”, tha Ilya Yashin.

Mijëra të vrarë në konfliktin në Ukrainë

Qeveria e Ukrainës dhe NATO, thonë se ekziston dëshmi e pakontestueshme për involvimin direkt të ushtrisë së Rusisë në konfliktin ndërmjet forcave të Ukrainës dhe separatistëve prorusë.

Kombet e Bashkuara thonë se në këtë konflikt, prej prillit të vitit 2014, janë vrarë më se 6,100 civilë dhe luftëtarë.

Raporti që është emërruar sipas Boris Nemtsovit, është i ndarë në 11 kapituj, ku përfshihet edhe ai për politikën e përgjithshme ruse ndaj Ukrainës, përdorimin e propagandës, aneksimin e Krimesë, dhe për rrëzimin e aeroplanit të udhëtarëve të kompanisë ajrore të Malajzisë, në pjesën lindore të Ukrainës, në korrik të vitit të kaluar.

Boris Nemtsov, ish-zëvendëskryeministër i Rusisë, që ishte shndërruar në kritik të ashpër të presidencës së Rusisë, është qëlluar për vdekje me të shtëna armësh, më 27 shkurt në pjesën qendrore të Moskës, disa hapa nga Kremlini, pra në periudhën kur punonte në këtë raport.

Miqtë dhe kolegët e zotit Nemtsov, në partinë politike opozitare, me emrin RPR – PARNAS, e kanë kompletuar raportin pas vrasjes së tij, edhe pse konsiderohet se shumë dokumente ishin konfiskuar nga hetuesit e Rusisë, që e analizonin vrasjen e tij dhe, rrjedhimisht, shumë burime nuk ishin të gatshme për të folur me studiuesit që e përgatitnin raportin.

“Nëse ata e vranë Nemtsovin afër Kremlinit, ata mund të bëjnë çdo gjë që dëshirojnë ndaj aktivitetit tonë në Ivanovo dhe askush nuk do të thotë asgjë”, e citon raporti një avokat të paemëruar, që i përfaqëson familjet e dy pjesëtarëve të vrarë”.

Ndër ushtarët e vrarë rusë gjendeshin edhe 17 parashutistë nga qyteti Ivanovo.

Çmim i lartë i luftës në Ukrainë

Në raportin Nemtsov, po ashtu, vlerësohet se Rusia i ka shpenzuar së paku 53 miliardë rubla (afro 1 miliard dollarë) për luftën në Ukrainë dhe 80 miliardë rubla të tjera për mbështetjen e refugjatëve nga pjesa lindore e Ukrainës, ku kryengritësit i mbajnë nën kontroll pjesë të provincave Donjeck dhe Luhansk.

Pjesa ekonomike e raportit është shkruar nga ekonomisti, Sergei Aleksashenko, ish-udhëheqës i lartë i Bankës Qendrore Ruse.

Raporti është postuar në internet në formën e tij të plotë dhe fillimisht janë shtypur 2 mijë kopje. Organizatorët shpresojnë që në atë ardhmen e afërt të aranzhojnë shtypje masive të tij dhe shpërndarje falas.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG