Ndërlidhjet

logo-print

Reflektimet e mundshme negative nga Kumanova në Kosovë


Një grua brenda shtëpisë së saj të rrënuar në Kumanovë.

Një grua brenda shtëpisë së saj të rrënuar në Kumanovë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe shefat e grupeve parlamentare në Kuvend, e kanë dënuar ashpër dhunën e shkaktuar në Kumanovë të Maqedonisë, gjatë përplasjes së armatosur ndërmjet organeve të rendit të këtij shteti dhe një grupi të armatosur.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, ka shprehur keqardhjen për të gjitha familjet që kanë pësuar gjatë incidentit të armatosur në Kumanovë.

Ai ka theksuar se Kosova respekton fqinjësinë e mirë me të gjitha vendet e rajonit. Sipas tij, Ballkani ka nevojë për më shumë paqe dhe reflektim të mirëkuptimit dhe dialogut, por siç ka thënë ai, problemet në Republikën e Maqedonisë nuk janë probleme të Kosovës.

“Ne e respektojmë sovranitetin e Republikës së Maqedonisë. Për problemet atje duhet të ketë më shumë mirëbesim dhe komunikim ndërmjet faktorëve politik brenda shtetit të Maqedonisë", ka thënë Veseli.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, e ka vlerësuar mjaft shqetësuese, ndërkaq dhunën ndaj qytetarëve e ka quajtur të papranueshme, duke shtuar se ngjarjet në Kumanovë kanë prapavijë.

“Kjo është një pasojë e padrejtësive dhe e dhunës që ka ushtruar në mënyrë të vazhdueshme qeveria maqedonase kundër shqiptarëve. Nuk ka respektuar asnjë marrëveshje. Ua ka mohuar dhe po vazhdon t’ua mohojë të gjitha të drejtat shqiptarëve në Maqedoni”, tha Grabovci.

Ngjarjet në Kumanovë i ka komentuar edhe shefja e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj - Bujupi.

Ajo ka shprehur keqardhjen, siç ka thënë, për atë që kanë kaluar familjet në Kumanovë, por gjithashtu ka folur edhe për lajmin se një nga ish-kolegët nga radhët e partisë së saj, është vrarë gjatë përplasjes në Kumanovë.

“Për përfshirjen e tij në Maqedoni, nuk kemi asnjë informatë dhe nuk e dimë se çfarë po ndodhë atje. Gjithsesi, na vjen keq për dhunën që po ushtrohet. I thërrasim të gjitha palët për qetësi dhe për përmbajtje. Ndërkohë, thërrasim bashkësinë ndërkombëtare që të ndërhyjë dhe që të bëhet një hetim i pavarur”, ka thënë Kadaj - Bujupi.

Ndryshe, sipas Gjykatës Themelore në Shkup, nga grupi i armatosur që u përplas me organet e rendit në Kumanovë, 18 prej tyre janë shtetas të Kosovës dhe 2 pjesëtarë tjerë janë shtetas të Maqedonisë, me qëndrim të përkohshëm në Kosovë. Prokuroria publike në Maqedoni, tashmë atyre u ka shqiptuar masën e paraburgimit.

Përfshirja e shtetasve të Kosovës në incidentin e armatosur në Kumanovë, nga njohësit e rrethanave të sigurisë dhe zhvillimeve politike, po vlerësohet si mjaft i dëmshëm për Kosovën.

Naim Maloku, ekspert për çështje të sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se përfshirja e shtetasve të Kosovës në këtë incident, është dështim i institucioneve të sigurisë të Kosovës.

“Ky është dështim, në radhë të parë i organeve të sigurisë të Kosovës. Është dashur që të hetohet dhe parandalohet. Për çka është AKI-a (Agjencia Kosovare e Inteligjencës)? Përgjegjësia absolute e atij shërbimi është hetimi i një veprimi dhe parandalimi i tij, që të mos ndodhë".

"Si është e mundur që e gjithë ajo lëvizje e atyre njerëzve të bëhet dhe organet e sigurisë, segmente të sigurisë të Kosovës, por edhe të faktorit ndërkombëtar që janë këtu, të mos e parandalojnë? Krejt kjo të kalohet e pahetuar dhe të mos mund të merren aktivitete parandaluese”.

Njohësi i zhvillimeve politike, Naim Rashiti, analist në Grupin Ballkanik për Politika, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ngjarjen në Kumanovë e ka cilësuar si një ndërmarrje tejet të rrezikshme të autoriteteve të Maqedonisë, partisë në pushtet VMRO-DPNE, në bashkëpunim me elementet e ish-luftës së vitit 2001 në Maqedoni, në mesin e të cilëve janë përfshirë edhe shumë shqiptarë të Kosovës.

“Unë besoj fuqishëm që Qeveria dhe institucionet e Kosovës kanë pasur informata për lëvizjet e këtyre grupeve, me javë të tëra, dhe është për çudi fakti që nuk kanë marrë masa. Do të duhet që sa më shumë të bëhet për t’i kontrolluar ata njerëz dhe për t’i monitoruar, sepse efekti minimal që do të jetë, është se shokët e tyre, të cilët kanë bashkëjetuar me kauzën për shumë vite, tani do të ndjehen të dobësuar dhe do të ndjejnë nevojën e revanshit”.

Në anën tjetër, Maloku ka shtuar se e gjithë kjo që ka ndodhur në Kumanovë dhe ku janë përfshirë edhe shtetas të Kosovës, nuk do të kalojë pa pasoja për vet Kosovën.

“Unë dua ta them se Kosova duhet ta pranojë se me këtë që ndodhi në Maqedoni, nga një promovim i Kosovës që prodhon stabilitet, është cenuar kjo. Është dëmtuar rëndë imazhi i Kosovës, si një shtet i cili prodhon dhe eksporton stabilitet dhe siguri. Ky është problemi tash, me të cilin duhet të ballafaqohet politika kosovare dhe duhet të ballafaqohet Kosova dhe organet apo segmentet e sigurisë në Kosovë”, ka theksuar Maloku.

Por, analisti Rashiti nuk vlerëson se ngjarjet në Kumanovë do t’ia zbehin imazhin Kosovës si një vend që reflekton stabilitet. Sipas tij, secila qeveri në rajon apo kudo qoftë, që ka ambicie të krijojë situata të tilla sikurse ajo në Kumanovë, mund të gjejë grupe njerëzish apo elemente të caktuara nëpër vende fqinje, për të krijuar incidente.

“Incidentet në Maqedoni nuk e ndërrojnë statusin e Kosovës si burim stabiliteti. Këto janë grupe të armatosura , të cilat janë manipuluar në emër të një kauze më të madhe nga elementë që kanë qenë të përdorur nga pushteti në Maqedoni. Ky është përdorim i një grupi të vogël, por ndaj të cilit, Prishtina dhe institucionet e saj duhet t’i qasen me më shumë vendosmëri”.

Rashiti ka shtuar se grupet e tilla, jo vetëm që i shkaktojnë dëm Kosovës, por po i shkaktojnë shumë dëme edhe statusit dhe pozicionit të shqiptarëve në Maqedoni, në fazën, sipas tij, më të vështirë të proceseve politike në atë vend.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG