Ndërlidhjet

Bildt: BE duhet të jetë më aktive në Ballkan

  • RFE /RL

Carl Bildt

Carl Bildt

Ish-kryeministri i Suedisë, Carl Bildt, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se nuk pret që konflikti i armatosur në Kumanovë të transferohet në vende të tjera të rajonit. Megjithatë, ai ka theksuar nevojën që Bashkimi Evropian t’iu kushtojë më shumë vëmendje ngjarjeve në Ballkan.

Radio Evropa e Lirë: Serbia ka thënë se do të harmonizojë politikën e jashtme me politikën e Bashkimit Evropian. Si e shihni nivelin e këtij harmonizimi?

Carl Bildt: Mendoj se është e rëndësishme që të ndodhë harmonizimi, sepse ai reflekton faktin se vende të ndryshme ndajnë vlera dhe interesa të përbashkët. Andaj, harmonizimi gradual i politikës së jashtme të Serbisë me atë të Evropës do të ishte ndarje e vlerave dhe inetersave të njëjtë.

Por, kur bëhet fjalë për sanksionet kundër Rusisë, Serbia vazhdon të mos ndjekë vijën e BE-së. Mendoj se është për keqardhje. Jo se sanksionet do të ndryshojnë shumëçka sa i përket Rusisë, por ato janë pjesë e paketës sonë politike, për të ruajtur rendin evropian.

Duhet të dihet fakti se Rusia ka rol shumë aktiv në lojën për ndarje në Evropë dhe ka rrezik që Rusia të luajë me Serbinë në atë mënyrë që do të dëmtonte interesat e saj.

Radio Evropa e Lirë: Kur duhet ta përshtasë Serbia plotësisht politikën e saj të jashtme me BE-në?

Carl Bildt: Mendoj se kjo ndodh gradualisht. Natyrisht, harmonizimi i plotë bëhet kur të bëhet anëtare e BE-së, por paraprakisht duhet të dëshmojë përkushtimin për t’u bërë anëtare. Sa më parë që kjo ndodh, aq më mirë.

Radio Evropa e Lirë: Një pjesë shumë e rëndësishme e rrugës evropiane të Serbisë janë marrëdhëniet me Kosovën. A ka rrezik nga ngecja në dialogun Kosovë-Serbi dhe në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit?

Carl Bildt: Ky rrezik gjithmonë ekziston, por shikuar nga anash, mund të them se është mbresëlënëse se sa probleme janë zgjidhur. Kanë mbetur probleme që janë më të vogla nëse krahasohen me ato që janë zgjidhur tashmë. Kanë mbetur detaje dhe gjithmonë ka rrezik nga tensionet rreth detajeve.

Radio Evropa e Lirë: Fundjavën e kaluar ka pasur një konflikt të armatosur në Kumanovë të Maqedonisë. Çfarë mendoni se qëndron prapa kësaj ngjarjeje?

Carl Bildt: Nuk e di. Do të doja të kem më shumë informacione në lidhje me këtë. Të gjithë do të donim. Por, siç duket, ka qenë një grup që ka bërë përpjekje të vendosë diçka në Kumanovë. Kjo ka ndodhur në momentin kur kemi probleme të tjera në Maqedoni, çfarë është shqetësuese.

Radio Evropa e Lirë: A ka rrezik nga transferimi i këtij konflikti në vendet fqinje?

Carl Bildt: Deri më tash, nuk ka pasur shenja për këtë. Nëse shihni periudhën nga viti 2001, kur ka pasur konflikt, e deri më tash, ajo ka qenë e qetë dhe e qëndrueshme. Mendoj se të gjithë shpresojnë se kështu do të vazhdojë.

Radio Evropa e Lirë: Më herët keni vlerësuar se Ballkani është më i ndjeshëm se pjesët e tjera të Evropës. Pra, ka ndodhur konflikti në Maqedoni, paqëndrueshmëria politike atje, Dodik kërcënon me referendum në Republikën Sërpska… A po i kushton BE-ja vëmendje të mjaftueshme Ballkanit?

Carl Bildt: Mendoj se kjo është e saktë dhe se duhet t’iu kushtojmë më shumë vëmendje ngjarjeve në Ballkan. Ka edhe gjëra të mira atje, nuk mund të themi se gjithçka është problematike. Është arritur përparim i rëndësishëm në 15 vjetët e fundit, këtu nuk ka dyshim.

Por, nganjëherë, harrojmë se ka ende çështje të hapura dhe fokusin e bartim te çështje të tjera. Ekziston një nevojë e qartë që BE-ja të jetë më akive rreth çështjeve në Ballkan.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG