Ndërlidhjet

Kosova po verifikon shtetasit e përfshirë në Kumanovë


Kumanovë
Kumanovë

Autoritetet e Kosovës tashmë posedojnë listën zyrtare me shtetasit e saj, të arrestuar në incidentin e armatosur në Kumanovë të Maqedonisë.

Kjo listë u është dorëzuar nga autoritetet maqedonase dhe në të figurojnë 23 persona, bëjnë të ditur zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

Ardian Arifaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë autoritetet në Kosovë janë duke punuar për verifikimin e emrave që gjenden në listë.

“Lista është me 23 emra. Na kanë njoftuar neve se këta janë të arrestuar dhe qytetarë të Kosovës. Nuk janë të gjithë emrat të shkruar mirë dhe duhet të kujdesemi që të dihet saktësisht se për cilët persona bëhet fjalë. Tash ne jemi duke i verifikuar identitetet dhe normalisht, ambasada jonë të shkojë dhe të ofrojw asistencë, në përputhje me ligjin. Të premten ta kanë për t’i vizituar familjarët. Autoritetet maqedonase ua mundësojnë këtë, e jo ne”, tha Arifaj.

Ai ka shtuar se autoritetet maqedonase janë kërkuar nga autoritetet e Kosovës bashkëpunim edhe për identifikimin e personave që kanë qenë pjesëmarrës në incidentin e armatosur në Kumanovë.

“Ata kanë kërkuar shenjat e gishtave të 9 personave. Shenjat e gishtave i kanë kërkuar për t’i verifikuar se a janë qytetarë të Kosovës. Tash, ne nuk e dimë se a janë të të arrestuarve apo të viktimave. Ata i kanë kërkuar nëntë dhe ne ua kemi dërguar aq. Pra, bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informatave ekziston”, thekson Arifaj.

Në anën tjetër, profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, shef i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se Republika e Kosovës, si vend sovran, ka obligim që të interesohet dhe përkujdeset për të gjithë shtetasit e vet, brenda dhe jashtë territorit të shtetit.

Sipas tij, kjo duhet të ndodhë edhe në rastin e shtetasve të Kosovës, të cilët janë arrestuar nga autoritetet maqedonase, në incidentin në Kumanovë.

“Në momentin kur ne kemi marrë një dokument ose një njoftim nga shteti fqinj, që shtetasit e Kosovës janë të implikuar në rrjedhat në Maqedoni, atëherë i përket shtetit që të interesohet deri në fund. Normalisht, duke respektuar procedurat e brendshme të Maqedonisë, që të interesohet për fatin e tyre”, theksoi profesor Hoti.

Ai ka shtuar se interesimi i shtetit të Kosovës nuk duhet të kufizohet vetëm për shtetasit e saj të arrestuar nga autoritetet e Maqedonisë, por edhe për shtetasit e saj që eventualisht mund të jenë viktima në incidentin e Kumanovës.

Interesimi dhe veprimi i shtetit të Kosovës, sipas tij, nuk duhet të mungojw edhe në rastet kur familjet mund të kërkojnë të afërmit e tyre, që eventualisht mund të jenë të vrarë në incidentin e Kumanovës, të sillen për t'u varrosur në Kosovë.

“Për të gjallë apo të vdekur, shteti i pavarur ka obligim ndaj qytetarëve të vet. Në këtë drejtim, përmes mekanizmave që ka në dispozicion, përmes konsullatës , duhet të interesohet, së pari në kuptimin zyrtar, si shtet, e po ashtu, përmes konsullatës do të duhej të procedoheshin të gjitha kërkesat që eventualisht familjet e personave, të implikuar në konfliktin në Maqedoni, do të kishin. Me fjalë të tjera, këto janë rrugë zyrtare dhe nuk guxojnë të mbyllen. Historia nuk njeh raste kur ato kanë qenë të mbyllura”, shprehet Hoti.

Hoti thotë se autoritetet e Kosovës, kanë të drejtë dhe duhet ta shfrytëzojnë të drejtën që të kërkojnë nga autoritetet e Maqedonisë që të hedhin dritë mbi gjithë ngjarjen që ka ndodhur në Kumanovë.

E kundërta, siç tha ai, “nuk do të kishte kuptim”.

Sipas tij, në qoftë se një apo më shumë shtetas të Republikës së Kosovës janë vrarë në Maqedoni, është obligim i shtetit maqedonas që të japë raport të detajuar për mënyrën se si janë vrarë ata.

XS
SM
MD
LG