Ndërlidhjet

Takimi i parë i liderëve të katër partive politike në Maqedoni ka përfunduar pa ndonjë epilog konkret për zgjidhjen e krizës së rëndë politike në të cilën ndodhet Maqedonia, e cila së fundi u përshkallëzua edhe në aspektin e sigurisë me aksionin policor në Kumanovë, që përfundoi me 22 të vrarë e dhjetëra të plagosur dhe arrestuar.

Takimi i liderëve të VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski, LSDM-së, Zoran Zaev, BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, është realizuar vetëm pasi ishte plotësuar kërkesa e opozitës për pjesëmarrjen edhe të ambasadorëve të SHBA-së, Jess Baily dhe të BE-së, Aivo Orav.

Kryetari i Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev, tha se është biseduar për hartimin e një kornize në bazë të të cilës do të zhvillohej dialogu, por ai tha se nuk është optimist se mund të arrihet ndonjë zgjidhje konkrete për krizën.

Zaev tha se opozita nuk do të kthehet në Kuvend edhe pse këtë e kanë kërkuar përfaqësuesit ndërkombëtar.

“Sot biseduam që të vendosim kornizën për bisedime, për të nisur dialogun e vërtetë politik, por kjo nuk është arritur ... nuk jam optimist se do të ketë ndonjë epilog. Opozita mbetet në agjendën e saj, në kërkesën kryesore për formimin e një qeverie kalimtare si alternativë e vetme për zgjidhjen e krizës politike“, tha Zaev

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i cili në takim ka marrë pjesë në cilësinë edhe të kryetarit të VMRO DPMNE-së, nuk dha detaje për kornizën, e as për atë nëse pret zgjidhje të krizës.

Kryemeministri gjithashtu ka hedhur poshtë mundësinë për të paraqitur dorëheqje pas atyre të ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska dhe ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski.

“Populli është ai që vendos se kush do të jetë kryeministër, kush do të jetë në pushtet e kush në opozitë. Tani për tani nuk janë paraparë dorëheqje...sa i përket dialogut, ne jemi të gatshëm të punojmë për vendosjen e dialogut në të cilin do të bisedohej për çështjet në interes të shtetit“, ka deklaruar kryeministri, Nikolla Gruevski.

Nga ana tjetër, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev duke folur edhe protestën e së dielës ka hedhur poshtë pohimet për trazira gjatë tubimit.

“Do të kemi protestë të qetë dhe pa dhunë. Këtë duhet ta kenë të gjithë të qartë, protesta do të jetë masive dhe e paparë deri më tani. Protesta do të jetë multietnike dhe këtë rast nuk duhet ta lëshoj askush. Ka presione të shumta për të penguar protestën, por ne jemi të vendosur që ajo të mbahet, për të përcjellur mesazhin e fuqishëm se pas gjithë asaj që kemi publikuar, qeveria duhet të jap dorëheqje“, ka deklaruar Zaev.

Kryeministri Gruevski tha se nuk mund të parashikojë nëse protesta do të jetë e qetë apo e dhunshme.

Takimi i së enjtes është i pari që nga paraqitja e krizës politike menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014, por që mori intensitet me atë që njihet si aferë e përgjimeve.

Që nga muaji shkurt, opozita ka nisur me publikimin e shumë bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve të lartë, përfshirë kryeministrin, Nikolla Gruevski dhe anëtarët e kabinetit të tij qeveritar.

LSDM-ja pretendon se nga bisedat dëshmohet përfshirja e tyre në veprimtari kriminale, andaj edhe kërkon dorëheqjen e qeverisë.

Por, këto pohime janë hedhur poshtë nga qeveria duke akuzuar kreun e opozitës për “puç“, për përpjekje për rrëzimin me dhunë të qeverisë.

Kriza politike së fundi është përshkallëzuar edhe në aspektin e sigurisë në Kumanovë, ku forcat policore ndërhynë ndaj një grupi të armatosur që prezantohej si Ushtria Çlirimtare Kombëtare, i cili, sipas qeverisë, synonte “sulme terroriste“ ndaj institucioneve.

Aksioni policor ka qenë temë e bisedimeve të sotme që pritet të vazhdojnë ditën e hënë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG