Ndërlidhjet

OSBE: Thirrje për përmbajtje në Maqedoni


Një delegacion i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) e ka vizituar Shkupin dhe ka biseduar me zyrtarë të lartë të Maqedonisë, liderë politikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Mëtutje, siç njofton OSBE-ja, i dërguari special për Ballkanin Perëndimor, Gerard Stoudmann, dhe kryesuesi i Task Forcës, Dejan Shahoviq, dje janë takuar me kryeministrin, Nikolla Gruevski, ministrin e jashtëm, Nikolla Poposki, pastaj me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, dhe liderin e Lidhjes Socialdemokrate, Zoran Zaev.

Në të gjitha takimet ishte edhe komisionarja e lartë e OSBE-së për minoritete kombëtare, Astrid Thors.

Duke përkujtuar se stabiliteti në ish-republikën jugosllave të Maqedonisë është i rëndësisë vitale për stabilitet në gjithë rajonin, dhe duke e përsëritur nevojën për parandalimin e përkeqësimit të situatës, ambasadori Stoudmann u ka bërë thirrje të gjitha palëve për të treguar përmbajtje gjatë demonstratave të shpallura dhe për të ndërmarrë hapa në uljen e tensioneve.

Mëtutje, siç njofton OSBE-ja, zoti Stoudmann ka shprehur nevojën për ndërtimin e besimit në institucionet e shtetit dhe veçanërisht përgjegjësinë e qeverisë.

Ai, po ashtu, ka kërkuar krijim të rrethanave të favorshme për dialog gjithpërfshirës politik, ku do të shqyrtoheshin, për shembull, çështjet e ndërlidhura me sistemin gjyqësor.

Gerard Stoudman ka inkurajuar krijimin e një mekanizmi të pavarur të aftë për sigurim të hetimeve të besueshme për dyshime për keqbërje.

Në këtë kuadër, ai i ka siguruar të gjitha palët se OSBE-ja është e gatshme për ndihmë të mëtejshme.

Aktualisht, kryesues i OSBE-së, është Ivica Daçiq, ministër i jashtëm i Serbisë.

XS
SM
MD
LG