Ndërlidhjet

Shkup: Protestë masive antiqeveritare


Protesta e së dielës, organizuar nga opozita maqedonase dhe shoqëria civile, ku morën pjesë dhjetëra mijëra qytetarë nga të gjitha qytetet e Maqedonisë, ishte e qetë dhe pa incidente.

Protesta u karakterizua me një pjesëmarrje masive të qytetarëve maqedonas, shqiptarë dhe pjesëtarë të të gjitha bashkësive tjera etnike.

Në orët e pasdites, masës së tubuar në protestën gjithëpopullore para Qeverisë në Shkup, iu drejtua lideri i opozitës, Zoran Zaev.

Kryetari i Lidhjes Social-Demokrate tha se ka ardhur koha që kryeministri Nikolla Gruevski, përfundimisht të ikë nga pushteti.

“Gruevski i ka orët e numëruara dhe çdo moment duhet të braktisë ndërtesën e Qeverisë”, deklaroi Zaev.

Ai akuzoi Qeverinë për veprimtari kriminale, falsifikim të zgjedhjeve, dhunë ndaj institucioneve dhe ndaj qytetarëve përmes shantazheve të ndryshme.

E vërteta për Maqedoninë ka dalë në sipërfaqe dhe kjo dëshmohet edhe me rrugët e Shkupit të mbushura me njerëz. Ne kemi vendosur të kthejmë demokracinë. Ky muaj do të hyjë në histori për kthesën e re të Maqedonisë. Do të vendosin sundimin e ligjit. Këtë po e bëjmë me të gjithë qytetarët pa dallim përkatësinë e tyre etnike dhe fetare”, theksoi Zaev duke kërkuar dorëheqjen e kryeprokurorit, drejtuesve të televizionit shtetëror dhe të gjithë funksionarëve të përfshirë në aferën e përgjimeve.

Ai tha zgjidhja e vetme për krizën politike është formimi i qeverisë kalimtare dhe përgatitja e vendit për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Zaev tha se nuk do të ketë tërheqje pa vendosjen e rendit dhe ligjit në Maqedoni, duke shtuar se një gjë e tillë do të arrihet vetëm me largimin e Nikolla Gruevskit.

Pas deklaratës së kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, aktivistët e partisë shpërndanë batanije për të gjithë qytetarët, të cilët do ta kalojnë natën para Qeverisë deri në largimin e kryeministrit Nikolla Gruevski.

Për të protestuar edhe gjatë natës, bashkë me qytetarët, mbetet edhe lideri i opozitës Zoran Zaev.

Pos liderit të opozitës, edhe folësit e tjerë para protestuesve, drejtuan kritika të ashpra ndaj Qeverisë për, siç thanë, krimet që janë zbardhur nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve, për dhunën dhe frikën që po praktikohet nga regjimi i kryeministrit Gruevski.

Ata thanë se protesta e sotme është shans për një fillim të ri në Maqedonisë, për kthimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit.

Protesta u përcoll edhe nga përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa vërehej prani e shtuar e Forcave Speciale të Policisë, që kujdeseshin për sigurinë e objektit të Qeverisë.

“Gruevski ik”,”Lamtumirë Nikolla” “Poshtë Qeveria kriminale”, “Protestoj”, janë vetëm disa nga parullat e protestuesve.

Masës së tubuar të parët që iu drejtuan ishin studentët.

“Studentët janë këtu janë jo për të mbështetur ndonjë parti, por për t’i thënë ik këtij regjimi. Kërkojmë të ardhme këtu në vend dhe jo jashtë vendit”, thanjë student, i cili iu drejtua të pranishmëve.

Më pas një studente tjetër shqiptare, 21 vjeçe, tha se dëshiron të jetojë në një shtet, që siguron të ardhme për të rinjtë.

“Gjenerata ime tashmë i ka vendosur themelet e një shoqërie multi-etnike dhe jam e bindur se gjenerata ime asnjëherë nuk do të jetojë një luftë të re, sepse gjenerata ime beson në fuqinë e bashkësisë, beson në lirinë dhe demokracinë, prandaj jemi më rezistent dhe kosistent në betejën për realizimin e ideve tona”, iu drejtua masës së tubuar një studente shqiptare.

Ndërkaq, edhe qytetarët e shumtë pjesëmarrës në protestë, shprehnin kritika ndaj udhëheqësve politikë.

“Vij nga qyteti i Gostivarit, ne protestojmë për të drejtat e qytetarëve shqiptarë, sepse ministrat tanë flenë dhe kjo na ka nxjerrë në protesta. Ministrat shqiptarë derisa rrinë brenda në Qeveri, ndodh Kumanova, pra të gjithë ministrat e kësaj qeverie duhet të shkojnë, sepse prej tyre s`ka gjë”, tha thënë një qytetar, i cili kishte ardhur për të protestuar nga Gostivari.

“Unë protestoj se ky pushtet është i papërgjegjshëm dhe i pamoralshëm, prandaj duhet të japë dorëheqje”, u shpreh një qytetar tjetër, i cili tha se kishte ardhur në Shkup nga Shtipi.

“Kërkojmë lirimin e qytetarëve të pafajshëm që mbahen në burgje për rastin MONSTRA. Kërkojmë realizimin e të drejtave të shqiptarëve, realizmin e Marrëveshjes së Ohrit. Ajo që ndodhi në Kumanovë ishte terror, kërkojmë që ngjarje të këtilla të mos përsëriten më”, theksoi një qytetare nga Kumanova.

“Kam ardhur të protestoj kundër një pushteti jodemokratik, protestoj kundër asaj se pushteti refuzon të dëgjojë popullin, protestoj kundër kësaj qeverie, e cila mbijeton falë nxitjes së nacionalizmave”, u shpreh një tjetër qytetare nga Shkupi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG