Ndërlidhjet

Shpërndarja e 20 përqindëshit, proces pa fund


Agjencia Kosovare e Privatizimit në Kosovë (AKP), po vazhdon me shpërndarjen e shumës së 20 përqindëshit për punëtorët e kualifikuar, listat e të cilëve janë aprovuar më parë në Bordin e Drejtorëve të Agjencisë.

Në fillim të këtij muaji, kjo agjenci ka shpërndarë mbi 1.5 milion euro për pesë ndërmarrje shoqërore të ndryshme, që gjenden në komunën e Drenasit, Ferizajt, Vushtrrisë, Deçanit dhe Gjakovës.

Nga kjo shumë kanë përfituar 624 ish punëtorë.

Ylli Kaloshi, zëdhënës në këtë agjenci, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se janë në përgatitje edhe të listave të tjera për shpërndarjen e shumës së 20 për qindëshit, që sipas një rregulloreje, i takojnë punëtorëve pas privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore ku kanë punuar.

“Agjencia është në proces të përgatitjes së dokumentacionit të shpërndarjes së fondeve të 20 për qindëshit për punëtorët e kualifikuar edhe të disa ndërmarrjeve shoqërore”, tha Kaloshi.

Ndryshe, nga privatizimi i deritashëm i ndërmarrjeve shoqërore nga fondet e 20 përqindëshit, AKP-ja ka arritur të shpërndajë mbi 100 milionë euro, kurse nga kjo shpërndarje kanë përfituar mbi 44 mijë ish punëtorë të ndërmarrjeve ku kishte shitje të aseteve.

Por, përfaqësues të punëtorëve pohojnë se autoritetet kompetente që nga fillimi kanë neglizhuar procesin e shpërndarjes se fondit të 20 përqindëshit.

Ali Dragusha, ish nënkryetar i sindikatës se punëtorëve, thotë ky proces aktualisht po zvarritet për shkak të mungesës së bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

“Apeli jonë është që të kompletohet bordi në mënyrë që të përshpejtohen këto procedura. Kërkesa tjetër është që Qeveria e Kosovës, të caktojë një afat të përafërt të përmbylljes së procesit të privatizimit. Ndryshe, siç janë duke shkuar çështjet që nga fillimi e deri më tani, ky proces do të zgjasë vite me vite, dhe nuk do të dihet se kur do të përfundojë”, ka thënë Dragusha për Radion Evropa e Lirë.

Agjencia Kosovare e Privatizimit, për një kohë të gjatë është në mungesë të bordit.

Mos emërimi i anëtarëve të bordit ka lënë peng shumë vendime të procesit të privatizimit duke përfshirë këtu edhe shpërndarjen e fondit të 20 për qindëshit.

Ylli Kaloshi, tregon se në bazë të Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, edhe për shpërndarjen e fondit të 20 për qindëshit vendos bordi i drejtorëve të kësaj agjencie.

“Sipas ligjit të AKP-së, ku flitet për kompetencat e bordit, precizohet se bordi vendos për shpallje të reja të valëve të shitjes, për shpërndarje të mjeteve nga pjesa e 20 përqindëshit për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore, për shpërndarjen e mjeteve nga procesi i likuidimit, pastaj vendos për bartjen e mjeteve tepricë në buxhetin e Kosovës dhe shumë vendime të tjera“, tha Kaloshi

Ngërçi politik gjashtë mujor vitin e kaluar, kishe vonuar themelimin e institucioneve, pas zgjedhjeve të qershorit.

Këto vonesa kanë ndikuar në miratimin e shumë ligjeve dhe vendimeve të rëndësishme, përfshirë këtu edhe emërimin e drejtorëve të rinj të Bordit të AKP-së.

XS
SM
MD
LG