Ndërlidhjet

Zyrtarë të institucioneve të Kosovës, përfaqësues ndërkombëtarë dhe diplomatë të akredituar në Kosovë, kanë kërkuar sensibilizimin e popullatës dhe politikës që të mos gjykojnë dhe të mos shkelin asnjë të drejtë të personave me orientim të ndryshëm seksual.

Deklarata të tilla janë bërë një ditë pas Ditës Ndërkombëtare Hundër Homofobisë dhe Transfobisë, në konferencën që është organizuar të hënën nga Zyra për Qeverisje të Mirë e Qeverisë së Kosovës, në bashkëpunim me disa organizata të shoqërisë civile.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, tha se “si në shumë vende të ndryshme të Evropës, edhe në Kosovë, komuniteti gej, lezbike, biseksual e transgjinor, LGBT, vazhdon të jetë i margjinalizuar”.

Ai tha se komunitetit LGBT, ende i bëhet presion dhe ata janë të frikësuar që të lëvizin lirshëm.

Zbogar theksoi se politikanët dhe liderët në përgjithësi mund të bëjnë me shumë për këtë kategori të shoqërisë.

“Unë besoj se ju mund të bëni më shumë që të keni një shoqëri më tolerante dhe të drejta për të gjitha grupet në shoqëri që janë të ndjeshme. Promovimi i tolerancës nuk duhet të jetë vetëm nga ana e aktivistëve të shoqërisë civile. Ata kanë nevojë për ndihmën tuaj. Dhe i ftoj politikanët që të ndihmojnë në këtë drejtim”, u ka thënë Zbogar të pranishmëve duke shtuar se diskriminimi mbi orientimin seksual nuk ka vend në shoqërinë moderne.

Zbogar, theksoi se institucionet shtetërore në Kosovë, duhet të jenë një shembull i mirë që të mos diskriminojnë këtë kategori të shoqërisë.

Sipas tij, në parandalimin e diskriminimin duhet të punohet nga të gjithë, duke nisur nga arsimtarët në shkolla, polica, gjykatat, prokuroritë, e të tjerë.

Zbogar ka përgëzuar organizatat që mbrojnë të drejtat e komuniteti LGBT, duke thënë se që nga viti i kaluar komuniteti LGBT në Kosovë po vazhdon me këmbëngulje në kërkimin e të drejtave të tyre.

Kryesuesi i Grupit Këshillëdhënës dhe Koordinues për të Drejtat e Komunitet LGBT, njëherësh drejtor i Zyrës për Qeverisë të Mirë nga kryeministria Habit Hajredini, tha se institucionet e Kosovës janë duke punuar që në asnjë rasttë mos diskriminohet kjo kategori i shoqërisë.

“Institucionet e Republikës së Kosovës kanë krijuar mekanizma adekuatë, që ne shohim një përmirësim dhe një lëvizje progresive në realizimin e të drejtave të komunitetit LGBT", tha Hajredini.

Kurse, Agim Margilaj, bashkëkryesues i Grupit Këshillëdhënës dhe koordinues për të Drejtat e Komuniteteve LGBT, i cili po ashtu udhëheqë një organizatë që mbron të drejtat e këtij komuniteti, tha se homofobia në shoqërinë kosovare është në nivel të lartë, si në institucione publike, po ashtu edhe në ato private.

Ai theksoi se për të respektuar komunitetin LGBT, duhet të punohet nga të gjithë, duke filluar nga secila familje.

Margilaj në konferenca para të pranishmëve ka treguar për një rast ku është fyer nga zyrtar në Komunën e Prishtinës, deri kishte shkuar aty për të kërkuar nga autoritetet kompetente leje për të organizuar aktivitete me rastin e 17 Majit, Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë dhe Transfobisë.

“Kam shkuar në komunën e re për të marrë leje për shfrytëzimin e hapësirës publike. Gjatë bisedës me personin përgjegjës të Drejtorisë së Shërbimeve Publike Mbrojtjes dhe Shpëtimit, një person më drejtohet dhe me pyet se për çka është kjo ditë, unë i thash për komunitetin LGBT. Ai mu drejtua më fjalën 'peder'. Më drejtohet me fjalët ‘marre për ju, na lodhet me këto ngjarje të pederave’”, ka treguar Margilaj.

Në Prishtinë, më 17 Maj është mbajtur një marsh simbolik kundër homofobisë, duke e shënuar Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë.

Marshi është thirrur nga tri organizata që merren me mbrojtjen e të drejtave të komunitetit, LGBT në Kosovë.

Një nga pjesëmarrësit e marshit ka qenë edhe ambasadorja amerikane, Tracey Jacobson.

Ndryshe, organizatat që sigurojnë mbrojtje për pjesëtarët e komunitetit LGBT në Kosovë, thonë se institucionet publike duhet të kenë dhe zhvillojnë plane të veprimit për të promovuar respektin dhe integrimin e këtij komuniteti, nisur nga garancitë që janë dhënë për një gjë të këtillë me Kushtetutën e Republikës.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG